Kina mbetet pa energji dhe ngrohje
Kinezët e thjeshtë po paguajnë çmimin e luftës tregtare midis Pekinit dhe Australisë. Në vend ka mungesë të qymyrgurit dhe autoritetet në disa provinca kanë fikur ndriçimin publik apo u kanë kërkuar fabrikave të punojnë me kohë të pjesshme. Pekini zyrtar tha vetëm se vendi duhet të plotësojë objektivat mjedisorë.
Në kulmin e dimrit disa qytete kineze kanë mbetur pa energji elektrike dhe pa ngrohje. Në qytetin lindor Yiwu, autoritetet vendosën të fikin ndriçimin publik për disa ditë, ndërsa fabrikat u urdhëruan të punojnë me kohë të pjesshme.
Ndërsa në qytetin bregdetar Wenzhou, qeveria urdhëroi disa kopani të mos hapin ngrohjen qendrore, përveç rasteve kur temperaturat arrijnë nën zero. Në provincën jugore Hunan, në ndërtesat e larta janë fikur ashensorët.
Pjesë të mëdha të Kinës po kufizojnë përdorimin e energjisë elektrike, kërkesa për të cilën ka qenë shumë e lartë për të plotësuar nevojat për ngrohje pasi temperaturat janë shumë të ulëta si dhe në periudhën kur ekonomia po rimëkëmbet pas goditjes nga pandemia e koronavirusit.
Zyrtarët në tre provincat e sipërpërmendura, ku jetojnë gjithsej 150 milionë banorë, kanë lëshuar urdhra për të kufizuar përdorimin e energjisë pas mungesës së qymyrit në treg.
Në provincën Henan ku prodhohet shumica e qymyrit, kërkesa është aq e lartë sa kamionët janë vendosur në radhë për t’u furnizuar.
Shumë banorë u janë përgjigjur kufizimeve të energjisë me ankth dhe konfuzion, të shqetësuar se do të mbeten pa energji dhe pa ngrehje në kulmin e dimrit.
Në Pekin zyrtarët u kanë kujtuar qytetarëve se vendi duhet të plotësojë objektivat mjedisorë, ndërsa ka siguruar se ka mjaftueshëm energji për të ngrohur popullin dhe mbajtur gjallë ekonominë.
Një pjesë të qymyrgurit Kina e siguron nga Australia, vend me të cilin është në një konflikt të hapur tregtar. Konflikti filloi që kur Australia u bë vendi i parë në botë që kërkoi hetim ndërkombëtar për origjinën e koronavirusit.