Kina zbaton masa të diferencuara për të frenuar epideminë
Kina po zbaton masa të diferencuara për të frenuar epideminë COVID-19, teksa provincat e ndryshme kanë rifilluar punën, përveç epiqendrës Hubei dhe Pekinit.
Qeveria qendrore i ka urdhëruar provincat të kenë qasje specifike bazuar në rreziqet vendore ndaj shëndetit, teksa po bëhen përpjekje për të rifilluar punën dhe prodhimin në vend.
Megjithatë, provinca Hubei, më e goditura nga shpërthimi i epidemisë, dhe kryeqyteti Pekin nuk janë përfshirë në këtë direktivë të re.
He Qinghua nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë thotë se situata në Hubei mbetet e rëndë:
“Deri më tani, Wuhan-i, kryeqendra e provincës Hubei, mbetet fusha kryesore e betejës për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë së koronavirusit në vend. Duhet të bëhen përpjekje të vendosura për të frenuar rritjen e rasteve të konfirmuara në periferi të Hubei-t dhe në rajone të tjera të rëndësishme në nivel province.”
Ndërsa marrin masa për të rinisur punën, organet e pushtetit vendor janë autorizuar të vlerësojnë nivelet e rrezikut në secilën konte brenda juridiksionit të tyre.
Rajonet me rrezik relativisht të ulët do të përqendrohen në frenimin e rasteve të reja nga jashtë. Ato do të rifillojnë prodhimin e plotë dhe jetën normale
Rajonet me nivel të mesëm rreziku do të rifillojnë punën dhe prodhimin bazuar në gjendjen vendore, ndërsa rajonet me rrezik të lartë do të vazhdojnë përpjekjet e rrepta të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë.
He Qinghua tha se Pekini do të përqendrohet në parandalimin e fluksit dhe përhapjes së virusit:
“Do të merren masa parandalimi dhe kontrolli për të shmangur fluksin dhe përhapjen e virusit. Ne do të forcojmë bashkërendimin midis Pekinit, Tianjin-it dhe provincës Hebei dhe do të përpiqemi të bëjmë çmos për të ndaluar përhapjen e mëtejshme. Do të bëjmë po ashtu një menaxhim më të mirë të lagjeve në Pekin.”
Në Pekin, atyre që kthehen nga jashtë qytetit ose që kanë pasur kontakte me persona të konfirmuar dhe të dyshuar si të infektuar, u është kërkuar të karantinohen për 14 ditë.
Banorët gjithashtu duhet të mbajnë maska fytyre kur dalin jashtë dhe temperaturat e tyre duhet të kontrollohen në vendet publike.
Për parqet dhe vendet turistike është caktuar gjithashtu një kufi lidhur me numrin e vizitorëve.
Ndërkohë, departamentet e qeverisë qendrore, ndërmarrjet e administruara nga qendra dhe njësitë ushtarake me qendër në Pekin duhet të ndjekin politikat antiepidemike të qytetit./Marrë nga CRI/