Konflikti libian, Erdogan dhe Putin: Të dielën nis armëpushimi

Erdogan dhe Putin arijnë përsëri marrëveshje. Edhe një herë, presidentët e Rusisë dhe Turqisë kanë lënë mënjanë dallimet në kërkimin e një marrëveshje që kënaq interesat ekonomike, energjetike dhe gjeopolitike të vendeve të tyre. Këtë herë kompromisi ka të bëjë me Libinë, ku Moska dhe Ankaraja mbështesin fraksionet kundërshtare. Në takimin e tyre në Stamboll, Putin dhe Erdogan u bënë thirrje palëve luftarake që të linin armët dhe të bien dakord për një armëpushim të qëndrueshëm që fillon nga mesnata midis të shtunës dhe të dielës.

Italia u kthye dje në mbrëmje për të paktën një ditë në qendër të lojës diplomatike në Libi. Kryeministri Giuseppe Conte u takua në ‘Palazzo Chigi’ me gjeneralin Khalifa Haftar. Në mbrëmje, Conte duhej të ishte takuar edhe me kryeministrin libian Fayez Al Sarraj, por burime italiane njoftuan se nga Brukseli, ku ai u takua me Josep Borrell, Përfaqësuesin e Lartë të Unionit për Punë të Jashtme dhe Politikë dhe Sigurisë, se Al Sarraj pas takimit u kthye me urgjencë në Libi.

“Ne kemi të drejtë të lidhim traktate dhe konventa me këdo që duam,” tha Al Sarraj në përgjigjen e një pyetje në arabisht mbi bashkëpunimin ushtarak midis qeverisë së marrëveshjes kombëtare Libiane dhe Turqisë. “Ne e bëmë marrëveshjen në mënyrë transparente – shtoi Kryeministri Libian – nuk mblodhëm mercenarë, as luftëtarë nga Sudani apo Çadi. Ne jemi të vendosur të mbrohemi dhe askush nuk do të mund të na i heqë këtë të drejtë”.

Sarraj i quajti diskutimet me “liderët evropianë” në Bruksel “shumë produktive”. “Ne nuk duam – tha Sarraj – që Libia të bëhet një fushë beteje, e luftërave me prokurë. Ne duam që agresori të ndalojë sulmet e tij kundër qeverisë së ligjshme, të njohur globalisht të Libisë”. “Nuk ka zgjidhje ushtarake për krizën libiane – tha Borrell pas takimit me Sarraj – veprimet e mëtejshme ushtarake do të sjellin pasoja katastrofike për popullatën libiane dhe për të gjithë rajonin”. Borrell theksoi se për të gjetur një zgjidhje për krizën “të gjitha palët do të duhet të ulen rreth tryezës dhe të përfshihen në dialog politik”.

Takimet midis Conte, gjeneralit dhe Kryeministrit Libian vijnë pas përshkallëzimit ushtarak të krizës teksa trupat e Haftar ditët e fundit kanë pushtuar Sirte dhe tani po shkojnë drejt qytetit Misrata. Në të njëjtat minuta të takimit midis Conte dhe Haftar, në Kajro, Ministri i Jashtëm Luigi Di Maio u takua në një bilatererale të jashtëzakonshme me kolegun egjiptian Sameh Shoukry, me Libinë në qendër të bisedimeve. Takimi, me sa mësojmë, u zhvillua në kuadër të takimit për Mesdheun Lindor, në të cilin morën pjesë Italia, Franca, Egjipti, Qipro dhe Greqia.

Eshtë e vështirë të thuhet nëse nisma Erdogan dhe Putin do të jetë e suksesshme. Përshtypja, sidoqoftë, është se Putin dhe Erdogan në Libi kanë arritur një pakt që mund ti vendosë gjithnjë e më shumë kufijë SHBA, të kufizojë ndikimin e Kombeve të Bashkuara në nivel diplomatik në Libi dhe të lejojë Moskën dhe Ankaranë të ndajnë fushat e ndikimit në vendin e pasur me naftë në Afrikën e Veriut, lëvizje kjo që do të forcojë edhe më shumë peshën e Rusisë dhe Turqisë në Mesdhe dhe do të hap derën për shfrytëzimin e depozitave të hidrokarbureve të rajonit tek të dy fuqitë.

Situata në terren gjithsesi mbetet e ndërlikuar. Forcat e Ushtrisë Kombëtare Libiane të vetëshpallur të udhëhequr nga Gjeneral Haftar kanë pushtuar një pjesë të Sirte dhe po shtyhen drejt Tripolit, duke shtrënguar gjithnjë e më shumë qeverinë e unitetit kombëtar të Fayez al Sarraj, e njohur nga OKB. Turqia mbështet Sarraj dhe tashmë ka vendosur ushtarë në mbrojtje të qeverisë së tij, megjithëse ka siguruar siguron se ata nuk do të luftojnë dhe thjesht do të kryejnë veprimtari koordinimi. Rusia qëndron në anën tjetër të barikadës. Ajo bisedon me të dy palët, por akuzohet se ka vendosur qindra, ndoshta mijëra, mercenarë nga grupi famëkeq Wagner, që besohet të jetë nën urdhërat e Kremlinit, në mbështetje të Haftar.

Vetë Erdogan javët e fundit kishte denoncuar praninë e “2.500 mercenarëve ruse” në Libi. Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Turqisë mbeten të qëndrueshme: asnjëra palë nuk ka interes të rrezikojë boshtin Moskë-Ankara. Kjo është demonstruar edhe nga deklarata e përbashkët e Putinit dhe Erdoganit pas samitit të Stambollit dje: të dy liderët jo vetëm që kanë promovuar një armëpushim në Libi por ata gjithashtu kanë kritikuar SHBA-të se me vrasjen e gjeneralit iranian Soleimani, po minon sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Lindjes së Mesme. Tensionet midis Rusisë dhe Turqisë, të cilat arritën kulmin e tyre pesë vjet më parë me rrëzimin e një avioni rus në Siri nga Turqit, tani duket se kanë kaluar.

Mbështetja e Putinit për Erdoganin menjëherë pas përpjekjes për grusht shteti në Turqi në vitin 2016 ndihmoi në përmirësimin e marrëdhënieve, të forcuara nga një seri marrëveshjesh mes të cilave edhe ndarja e fushave të interesit në Siri. Rusia gjithashtu shet sisteme anti-raketa S-400 në Turqi dhe po ndërton termocentralin e parë bërthamor turk në Akkuyu kurse dje ata inauguruan në Stamboll gazsjellësin Turkstream i cili i lejon Rusisë të sjellë metanin e saj në Europë duke anashkaluar Ukrainën, me të cilën marrëdhëniet mbeten të vështira, duke e kthyer Turqinë në një qendër energjetike.

Nëse planet e Rusisë dhe Turqisë për Libinë do të realizohen, të dy vendet do të mund të merrnin dorë hidrokarburet e Libisë. Ankaraja gjithashtu përmes marrëveshjes me al Sarraj do përfitonte një pjesë të fushave të gazit në detin e Qipros dhe do të parandalojë zhvillimin e infrastrukturës për të sjellë metanin qipriot dhe izraelit në Europë. Por nëse Sarraj do të mposhtet nga Haftar, Erdogan do të humbasë gjithçka. Konflikti në Libi, megjithatë, ka gjithnjë e më shumë konotacionet e një lufte me prokurë dhe ka shumë aktorë të përfshirë. Mbetet të shihet nëse Turqia dhe Rusia me të vërtetë kanë ndikim të mjaftueshëm mbi Sarraj dhe Haftar për t’i bindur ata për t’i dhënë fund armiqësive.

SHKARKO APP