Koreja e Veriut rifillon testimet raketore

Pas tre muajve pushim, Koreja e Veriut i është rikthyer testimit të teknologjisë së vet raketore duke lëshuar dy predha balistike në Detin e Japonisë. Vendi ende nuk ka pranuar të shkatërrojë bazat e prodhimit të armëve atomike, duke i lënë në stanjacion bisedimet disavjeçare me Uashingtonin.

Koreja e Veriut ka rifilluar testimin e predhave balistike pak javë pasi shpalli heqjen e moratoriumit për testimin e raketave me rreze të gjatë veprimi.

Dy raketa të paidentifikuara me rreze të shkurtër veprimi u lëshuan të hënën në lartësinë 35 kilometra për një distancë 240 kilometra nga bazat e vendit në Detin e Japonisë.

Testimet e fundit u zhvilluan nëntorin e kaluar dhe vijnë pas stanjacionit të negociatave për çarmatim bërthamor mes Uashingtonit dhe Phenianit.

“Kjo është periudhë e rëndësishme për gadishullin korean. Kina u bën thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet, të zgjidhin problemet me dialog dhe negocim, dhe të bëjnë përpjekje pozitive për çarmatimin bërthamor për t’i sjellë gadishullit dhe rajonit paqe të qëndrueshme,” njoftoi Ministria e Jashtme e Kinës.

Pheniani mendohet se zotëron teknologji raketore të trashëguar nga Bashkimi Sovjetik me aftësinë për të dërguar predha deri në Shtetet e Bashkuara, dhe me fuqi 16 herë më të madhe sesa bomba e Hiroshimës.

Vendi është izoluar ekonomikisht si pasojë e vazhdimit të programit bërthamor, ndërsa nuk janë bërë shumë përparime nga tri takimet kokë-më-kokë mes udhëheqësit të vendit Kim Xhong-Un dhe presidentit amerikan Donald Trump.

SHKARKO APP