Koreja V. sulmon: Trump, matuf

SHBA-ja dhe Koreja e Veriut i janë rikthyer kërcënimeve të dyanshme për epërsi ushtarake. Disa samite mes liderëve Donald Trump dhe Kim Xhong-un nuk arritën këtë vit t’i japin zgjidhje përfundimtare çështjes së armatosjes bërthamore.

Koreja e Veriut e ka cilësuar provokim të rrezikshëm dhe recidivist deklaratën e presidentit Donald Trump për mundësinë e ndërhyrjes ushtarake.

Të martën, shefi i Shtëpisë së Bardhë u pyet për testimin e vazhdueshëm të raketave nga regjimi komunist, dhe nëse rrezikohen paqja dhe përpjekjet për çarmatosjen bërthamore të vendit.

“Raportet e mia me Kim-Xhong-un janë shumë të mira. Atij i pëlqen të lëshojë raketa në qiell, por kjo nuk do të thotë se nuk do respektojë marrëveshjen që firmosëm. Kemi ushtrinë më të fuqishme në histori dhe në botë. Shpresoj që të mos na duhet ta përdorim, por nëse ndodh, do e bëjmë,” deklaroi Trump.

Pheniani i priti komentet me kritika, duke e akuzuar palën amerikane për rikthim të tensioneve të 2 viteve më parë.

Zëvendësministri i jashtëm koreanoverior madje vuri në lojë gjendjen mendore të 73-vjeçarit amerikan.

“Nëse Trumpi priret vetvetishëm a qëllimisht të bëjë deklarata apo të shfaqet me humor të paqëndrueshëm në një moment kaq kritik, atëherë do duhet t’i përcaktojmë sërish diagnozën e matufosjes së përsëritur,” njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve e Phenianit.

Vendi i ka lënë afat Uashingtonit deri në fund të vitit që të zgjidhin me dialog mosmarrëveshjet për sanksionet dhe armët bërthamore, përndryshe do të tensionojë situatën.

SHKARKO APP