Koronavirus infekton qeverinë në Spanjë, zv.kryeministrja Calvo shtrohet në spital, kryeministri në izolim

Zëvendës Kryeministrja Spanjolle Carmen Calvo është shtruar në spital mbrëmjen e së Dielës, për shkak të një “infeksioni në rrugët e frymëmarrjes”.

Gjithashtu pozitive nga testimet ka dalë edhe bashkeshortja e Kryeministrit Sanchez, Begona Gomez. Ndërsa vetë kryeministri ka rezultuar negativ nga testet, por aktualisht ndodhet në izolim të mbikqyrur  nga specialistët e shëndetësisë dhe mbledhjet qeveritare I drejton nëpërmjet video-konferencave.

Pozitive ndaj virusit ka rezultuar edhe presidentja e komunitetit të Madridit, Isabel Diaz Ayuso, e cila ka organizuar celebrimin masiv për festën e gruas me datë 8 Mars, duke ftuar dhe grumbulluar në festë më shumë se 100.000 njerëz, përfshirë këtu nënën e Kryeministrit Spanjoll dhe Zëvendës-kryeministren Carmen Salvo.

Spanja numëron më shumë se 33 mijë të infektuar nga Covid-19, me 2182 viktima, 462 prej tyre janë regjistruar vetëm 24 orët e fundit. 1200 të vdekur numërohen vetëm në Madrid.

Sipas burimeve nga autoritetet e shëndetësisë në Spanjë, shkalla e infektimit po rritet me 4500-5000 persona në ditë, ndërkohë që industritë dhe një pjesë e madhë e bizneseve janë ende hapur.

Përgjegjësi i Qendrës së Koordinimit të emergjencës Shëndetësore, Fernando Simon është shprehur të hënën në një deklaratë për shtyp, se nuk është e mundur të mbyllen aktivitetet kryesore të biznesit, pasi Spanja rrezikon të mbetet pa furnizime dhe në mëshirë të fatit.  Ndërkohë, nga Kina po priten dy avionë me ndihma, kryesisht me materiale shëndetësor për Spitalet Spanjolle.

SHKARKO APP