Koronavirus, Kina bëhet “miqësore” me mjedisin
Koronavirusi ka shkaktuar më shumë se dy mijë viktima dhe mbi 80 mijë të prekur. Ai ka dalë jashtë kufijve të Kinës, dhe ka prekur disa shtete, mes të cilave, Koreja e Jugut dhe Italia paraqesin situatën më të rëndë. Sikur kjo të mos mjaftonte, virusi po paralizon ekonominë botërore dhe po përhap panik te njerëzit.
Megjithatë, Covid-19, paska dhe një anë pozitive. Kina, e cila konsiderohet dhe si epiqendra e përhapjes botërore të këtij virusi vdekjeprurës, po kthehet në një shtet “miqësor” me mjedisin dhe po ul emetimet që ndotin ajrin.
Sipas “Business Insider”, emetimet e dioksidit të karbonit kanë pësuar një ulje të barabartë me 100 milionë tonelata, pasi fabrikat po punojnë me 30% të funksionimit normal.
Nga ana tjetër numri i të prekurve me koronavirus në Kinë, vijon të ulet në mënyrë domethënëse.
Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë, konfirmon se në 24 orët e fundit janë shënuar 406 raste, me infeksion nga koronavirusi, krahasuar me 508 që ishte një ditë më parë. Në këtë mënyrë, numri total i rasteve me koronavirus në Kinë ka arritur në 78,064.
Gjithashtu, Komisioni i Shëndetësisë bën me dije se numri i viktimave ka arritur në 2715, bilanc ky që u rrit me 52 të tjerë vetëm gjatë ditës së martë. Të gjitha rastet e vdekjes u shënuan në provincën Hubei, ajo që konsiderohet dhe si epiqendra e përhapjes së virusit. Jashtë provincës së Hubeit, numri i rasteve të reja në Kinë ra në 5, duke u ulur për të pestën ditë radhazi dhe duke shënuar numrin më të ulët që nga 20 janari.