Koronavirus/ Ushtria spanjolle gjen të vdekur, të moshuarit e braktisur në azile
Numri i viktimave të COVID-19 në Spanjë ka shkuar në 2696 ditën e sotme.
Shifrat e fundit nga ministria e shëndetit shënojnë ditën me ritmin më të lartë të vdekjeve në vend nga virusi.
Kjo rritje erdhi një ditë pasi ushtarët spanjollë zbuluan të moshuar të vdekur në azilet e braktisura, pasi ushtria u dërgua për të dezinfektuar banesat.
Ministrja spanjolle e mbrojtjes Margarita Robles tha se ushtria kishte gjetur ‘disa të moshuar plotësisht të braktisur, disa madje edhe të vdekur në krevatet e tyre’.
Raportet tregojnë se stafi i azileve ishte dërguar në shtëpi pas zbulimit të virusit në banesa.
Prokurori general i Spanjës ka nisur një hetim, teksa autoritetet premtuan të jenë ‘strikt’ me mbrojtjen e të moshuarëve.