Koronavirusi i merr jetën gazetares së njohur amerikane
Koronavirusi nuk kursen askënd. Virusi i rrezikshëm ka infektuar zyrtarë të nivelit më të lartë, anëtarë të familjeve mbretërore, si dhe sportistë e artistë, nga më të njohurit në botë.
Për disa prej tyre, lufta me Covid-19 ka rezultuar fatale dhe iu ka marrë jetën. Fatkeqësisht kështu ndodhi dhe me një ndër emrat më të njohur të medias në Nju Jork.
Gazetarja e njohur, Maria Mercader, është ndarë nga jeta duke shkaktuar jo pak tronditje në mesin e kolegëve amerikanë por dhe të miliona njerëzve që e ndiqnin nga ekrani i gjigantit mediatik CBS, ku kishte punuar për rreth 30 vjet.
Producentja 54-vjecare ishte një nga personazhet më të dashur të televizionit dhe kishte ndjekur disa nga evenimentet më të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, si vdekja e princeshës Diana, dhe atentatet e 11 shtatorit. Mercader kishte fituar edhe çmimin prestigjioz Emmy për një reportazh mbi mashtrimet në Internet.
Ajo kishte vite që luftonte kundër një kanceri, por infektimi me COVID-19 ka përkeqësuar në mënyrë fatale situatën e saj shëndetësore.