Koronavirusi/ Shpallet gjendja e jashtëzakonshme në Kili, dislokohet ushtria
Presidenti kilian, Sebastian Pinera deklaroi dje në mbrëmje vonë një emergjencë kushtetuese për katastrofat duke lejuar edhe dislokimin e ushtrisë për mirëmbajtjen e rendit në vend, i cili tani ka më shumë se 200 raste të deklaruara të koronavirusit të ri.
“Duke ushtruar të drejtat e mia kushtetuese, unë shpalla gjendjen e urgjencës kushtetuese për fatkeqësi”, tha kreu i shtetit.
”Masa, në fuqi për 90 ditë, do të sigurojë siguri më të madhe rreth spitaleve dhe ambienteve shëndetësore, do të mbrojë zinxhirin e furnizimit të produkteve mjekësore dhe do të lehtësojë transferimet e pacientëve ose personelit mjekësor”, tha Pinera.
“Ushtria mund të veprojë si një forcë e vërtetë shëndetësore, në bashkëpunim me të gjithë zyrtarët e sistemit tonë shëndetësor,” shtoi presidenti kilian.
Vendosja e ushtrisë në ditët e para të një krize sociale tetorin e kaluar ishte kritikuar ashpër duke kujtuar orët e errëta të diktaturës së Augusto Pinochet (1973-1990).