Koronavirusi ul emetimet e gazrave serrë
Epidemia e koronavirusit, që ka paralizuar ekonominë në Kinë, mund të ketë pakësuar me të paktën 25% emetimet e dyoksidit të karbonit të gjigantit aziatik, sipas një studimi të publikuar sot, por ndikimi mund të jetë veçse i përkohshëm.
Për shkak të masave drastike në kontrollin dhe kufizimin e qarkullimit, për të frenuar epideminë, shumë fabrika kanë ndërprerë veprimtarinë ose punojnë me ritëm të ngadalësuar.
Si pasojë, konsumi i energjisë dhe emetimet e gazrave serrë kanë rënë me 100 milionë tonë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas një studimi të publikuar nga faqja e specializuar “Carbon Brief”.
“Ulja e konsumit të qymyrit dhe naftës tregon një ulje me të paktën 25 % të emetimeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ekuivalente me 6 % të emetimeve globale gjatë kësaj periudhe”, theksohet në studim.
Sipas studimit, çështja që mbetet është të dihet nëse ky ndikim do të zgjasë dhe se nëse do të ketë rikthim pas.
“Kur epidemia të nisë të zhduket, ka të ngjarë që të ketë një lloj ndotjeje hakmarrëse, me fabrikat që do të shtojnë prodhimin e tyre për të kompensuar humbjet pas mbylljes së tyre të zgjatur”, tha Li Shuo, zëdhënësi i Greenpeace në Kinë.
Një ulje e tillë dyjavore mund të paraqesë, në vetvete, një rënie prej rreth 1 % të emetimeve vjetore të ekonomisë së dytë më të madhe në botë.