Korrupsion në Europë me fondet për koronavirusin
Nga Clotilde Armand-
Për javë të tëra, liderët evropianë kanë qenë në kërkim të parave për të mbrojtur qytetarët e tyre dhe bizneset nga varfëria që mund të shkaktojë COVID-19. Edhe pse është e vështirë për ta pranuar, historia e tregon se një pjesë e konsiderueshme e këtyre parave përfundojnë në rrjete të korruptuara. Nga buxheti vjetor i BE, 2% humbet për shkak të mosveprimit ndaj korrupsionit.
Por opinioni publik është përqendruar në përgjithësi në mashtrimet e Fondit të Kohezionit, i cili është më i lehtë për t’u stigmatizuar për shkak se i drejtohet vendeve lindore të Evropës.
Në mes të krizës së koronavirusit, Fondi i Kohezionit ishte instrumenti i parë financiar i mobilizuar për të përcjellë buxhetin evropian në mbrojtjen mjekësore, sociale dhe ekonomike. Fondi i Kohezionit u krijua për të mbështetur ekonomi relativisht të dobëta – zakonisht ato në Lindje – që të bëhen funksionale brenda tregut evropian, në mënyrë që të kompensojnë humbjet e qenësishme ndaj kompanive konkurruese perëndimore. Kjo ama do të ndodhë vetëm nëse ky fond nuk lejohet të abuzohet nga korrupsioni.
Sidoqoftë, rreziqet e abuzimit me fondet janë më të larta për shkak të ‘normales sonë të re’. Ndërsa përballemi me realitetin e ri ekonomik të krizës së koronavirusit, do të lejohet më shumë fleksibilitet në shpenzimin e fondeve të BE-së, me autoritetet lokale që do të kenë më shumë liri dhe më pak kontrolle.
Pavarësisht nëse është për qëllime të mira apo jo, fuqitë e autoriteteve kombëtare për të hetuar krimet financiare ndalen tek kufijtë kombëtar. Organet e BE-së si Eurojust, Europol dhe Zyra e BE Kundër Mashtrimit (OLAF), nuk kanë juridiksion për të kryer hetime penale. Bazuar në rekomandimet e OLAF, autoritetet kombëtare arrijnë të ndjekin penalisht vetëm 36% të çështjeve të korrupsionit në BE, dhe më pak se 10% të humbjeve janë rikuperuar.
Për t’iu përgjigjur presioneve nga vendet anëtare që kërkojnë një qasje të përbashkët evropiane për ndjekjen penale, një institucion i ri, Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) është duke u ngritur. Çdo shtet anëtar pjesëmarrës do të përfaqësohet nga prokurorë delegatë të cilët do të koordinojnë hetimet. Kjo do të mundësojë aplikime më harmonike të legjislacionit dhe ndjekje penale më të shpejtë.
Në funksion të rrezikut të shtuar të korrupsionit me fondeve të BE-së, është e domosdoshme që EPPO të bëhet operacionale në kohë, siç është planifikuar, brenda dhjetorit të 2020.
Ende është çështje që ha debat, nëse lëshimi i fondeve evropiane duhet të kushtëzohet nga respektimi i shtetit të së drejtës. Penalizimi i qeverive pa ndëshkuar popullsitë do të ishte një ushtrim i vështirë për Komisionin Evropian, pasi do të kërkonte futjen e mjeteve të reja të ndërlikuara dhe do të rrezikonte potencialisht miratimin e buxhetit të ardhshëm të BE-së.
Por, detyrimi për të rikuperuar fondet e BE-së së humbura në korrupsion nuk mund të jetë opsional. Në krizat e ardhshme pas COVID-19, do të na duhet një vaksinë kundër korrupsionit më shumë se ç’na është dashur ndonjëherë.
*Anëtare e Parlamentit Evropian për partinë Unioni Ruaj Rumaninë dhe anëtare e grupit parlamentar të Evropës së Rinovuar