Kriza e tmerrshme e koronavirusit, pista e aeroportit të Frankfurtit kthehet në vendparkim
Kriza e koronavirusit ka pasoja të drejtpërdrejta në Aeroportin e Frankfurtit ndër më të mëdhenjtë në botë. Një shifër e bën të qartë këtë: 95% rënie të numrit të pasagjerëve shënon ky aeroport.
Frankfurti është nyja më e rëndësishme për qarkullimin ajror të Gjermanisë – në këtë qytet ndodhet aeroporti më i madh i vendit. Por tani si në të gjithë Gjermaninë edhe aty gati nuk lëviz asgjë.Javën e kaluar Fraport bëri të ditur, se në këtë aeroport kanë mbërritur vetëm 66.151 pasagjerë, vetëm 5% e shifrës që normalisht qarkullon nëpër këtë aeroport, një rënie prej 95% e numrit të tyre.
Vitin e kaluar kaluan nëpër këtë aeroport më shumë se 70 milionë pasagjerë. Kurse vëllimi i transportit të mallrave ka rënë me 25%, në 32.904 tonë. Aeroporti i Frankfurtit po e përdor rënien e fortë të numrit të pasagjerëve për një rikonstruktim të përgjithshëm të pistave jugore të fluturimit. Me bllokimin e tyre janë në funksion tani vetëm dy nga katër pistat e zakonshme, thotë DW.
Njëra nga pistat është kthyer për shkak të krizës në vendparkim për avionët e Lufthansës që nuk lëvizin prej ditësh nga vendi. Ndërsa një terminal pasagjerësh është mbyllur plotësisht. Për shumë punonjës të aeroportit është aplikuar për punën me orar të shkurtuar.