Kriza ekonomike në BE/Ursula von der Leyen: Unitet për paketën e rimëkëmbjes
Liderët e Bashkimit Europian nisën procesin e aprovimit të paketës së paprecedentë të stimulimit për ekonomitë e goditura rëndë nga koronavirusi, me vetëdijen se duhet të veprojnë sa më shpejt por të përçarë mbi përmasat dhe kushtet e ndihmës financiare.
27 vendet anëtare u mblodhën përmes një video-konference për të diskutuar mbi rimëkëmbjen e bllokut që ka humbur më shumëse 100 mijë jetë nga Covid-19 dhe që përballet tani me një krizë të paprecedentë ekonomike. Në diskutim, është buxheti për 1.1 trilionë eurosh, për 7 vitet e ardhshme dhe një fond rimëkëmbje prej 750 miliardë eurosh që do të shpërndahen në formën e granteve dhe kredive të buta.
“Sot, në ndërmarrim një hap të rëndësishëm në rrugën për tejkalimin e krizës. Jam shumë e lumtur t’u prezantojë liderëve evropianë paketën e rimëkëmbjes, e quajtur, BE-ja e gjeneratës së re. Propozimi është ambicioz dhe i balancuar. Nuk do të ndihmohen vetëm ekonomitë e vendeve të goditura më rëndë nga virusi, por edhe ato ekonomi që janë prekur në mënyrë indirekte nga masat e kufizimit. Evropa duhet të investojë tani për daljen nga kriza”.
Ndihmat financiare do t’u shpërndahen vendeve të goditura më rëndë nga kriza shëndetësore dhe ajo ekonomike, të tilla si Italia dhe Spanja, por shumë çështje mbeten ende të pazgjidhura mes shteteve anëtare para se të arrihet një ujdi unanime. Shtete të pasura si Austria dhe Holanda kane kundërshtuar prej fillimit idenë e ndarjes së barrës së borxhit. Zyrtarët dhe diplomatët presin që marrëveshja të siglohet në muajin korrik.