Kriza Ukrainë-Rusi, çfarë është marrëveshja e Minskut?
Në një kohë që duket sikur lufta do të plas nga momenti në moment, marrëveshja e Minskut të 2015-ës po shihet si një rrugëdalje të mundshme nga kriza. Marrëveshja u arrit në kryeqytetin bjellorus në një përpjekje për t’i dhënë fund atij që atëherë ishte një konflikt i përgjakshëm 10-mujor në Ukrainën lindore.
Një takim i rrallë midis udhëheqësve rusë, ukrainas, gjermanë dhe francezë në shkurt 2015 u përpoq të sillte paqe në zonat e Ukrainës që ishin marrë nën kontroll nga separatistët pro-rusë. Ato zona në rajonin e Donbasit të Ukrainës, u bënë të njohura si Republika Popullore e Luhanskut dhe Republika Popullore e Donetskut. Qeveria ukrainase pohoi se dy rajonet ishin të pushtuara nga Rusia. Bisedimet synuan gjithashtu të punonin drejt një zgjidhjeje politike për rajonin.
Rezultati, Minsk II, u nënshkrua nga përfaqësues të Rusisë, Ukrainës, krerëve separatistë dhe Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE). Ai u miratua më pas nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Cilat ishin kushtet e marrëveshjes?
-Një armëpushim. Në shkurt 2015, kishte ende luftime të ashpra në disa zona midis forcave ukrainase dhe rebelëve të mbështetur nga Rusia, me ukrainasit që pësuan humbje të mëdha.
-Tërheqja e armatimeve të rënda nga vijat e frontit.
-Që OSBE të monitorojë vijat e frontit.
-Një dialog për zgjedhjet lokale në zonat e pushtuara nga rebelët pro-rusë.
-Rivendosja e lidhjeve të plota ekonomike dhe sociale mes dy palëve.
-Që kontrolli i qeverisë ukrainase të rivendoset mbi kufirin me Rusinë.
-Tërheqja e të gjitha forcave të huaja dhe ushtarëve.
-Reforma kushtetuese që do të siguronte njëfarë autonomie për rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës që nuk është më nën kontrollin e qeverisë qendrore.
Çfarë ndodhi pasi u nënshkrua Minsk II?
Luftimet më të ashpra u ndalën dhe vëzhguesit e OSBE-së hynë. Deri më sot, OSBE-ja patrullon linjat e frontit dhe raporton shkelje të armëpushimit përgjatë kufirit. Megjithatë, ka shumë më pak luftime dhe më pak viktima sesa në 2014-15. Nga ky këndvështrim, marrëveshja, të paktën, u përmbush pjesërisht. Megjithatë, ka 1.5 milionë njerëz të zhvendosur brenda vendit në Ukrainë dhe rreth 14,000 njerëz kanë vdekur në konflikt.
Ku qëndronte problemi?
Marrëveshja e Minskut u hartua shumë shpejt. Rusia ishte një nënshkruese, por roli i saj në konflikt nuk u pranua. Në të vërtetë fjala “Rusi” nuk shfaqet askund në tekst. Që atëherë, kjo i lejoi Kremlinit të thotë se është thjesht një vëzhgues dhe se marrëveshja duhet të arrihet midis qeverisë ukrainase dhe rebelëve në lindje të vendit, pavarësisht nga provat që tregojnë se Rusia i mbështet separatistët.
Kievi refuzon të flasë drejtpërdrejt me rebelët. Ukraina dëshiron së pari të rimarrë kontrollin e kufirit të saj ndërkombëtar. Ajo gjithashtu dëshiron që forcat të largohen. Rusia, natyrisht, thotë se nuk ka asnjë forcë në zonat e kontrolluara nga rebelët. Përpjekjet e diplomatëve perëndimorë për të sheshuar këtë rreth nuk kanë shkuar askund.
Duncan Allan, bashkëpunëtor i Programit të Rusisë dhe Euroazisë në institutin Chatham House të Londrës, shkroi se në fund të fundit argumenti për Minskun është ky: “A është Ukraina sovrane, siç këmbëngulin ukrainasit, apo duhet të kufizohet sovraniteti i saj, siç kërkon Rusia?”.