Kroatja Pushiç tërhiqet nga gara për shefe e OKB-së
Vesna Pushiç, kandidatja e Kroacisë për postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, tërhoqi sot kandidaturën duke u bërë e para nga 12 kandidatët që lë garën.
Vendimi i Pushiçit vjen para se Këshilli i Sigurimit të mbajë sot raundin e dytë në votim të fshehtë për të vlerësuar mbështetjen e këshillit për secilin kandidat.
Në letrën drejtuar Mogens Lykketoft, presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe Ramlan Bin Ibrahimit, kryetarit të Këshillit të Sigurimit, Pushiç shkruan se “raundi i parë i votimit në këshill tregoi se përzgjedhja nuk ka shkuar në drejtimin tim”.
“Unë do doja të lehtësoja vazhdimin e këtij procesi duke tërhequr kandidaturën time për sekretarin e përgjithshëm të ardhshëm të OKB-së”, shton ajo.
OKB-ja është duke zgjedhur sekretarin e ardhshëm të përgjithshëm, pasi mandati i dytë i shefit aktual të OKB-së, Ban Ki-moon përfundon këtë vit.
KOHA JONË SONDAZH

