Kryeministri Conte e qeveria italiane denoncohen për masakër sanitare
700 mijë italianë kanë mbështetur denoncimin kundër kryeministrit Conte e qeverisë italiane me akuzën e masakrës së qëllimshme shkaktuar nga pandemia Covid 19. Denoncimi është dorëzuar në Prokurorinë e Romës nga avokati i njohur penalist Carlo Taormina, politikan e ish deputet i Partisë Forza Italia e ish-sekretar shteti në kohën e qeverisë së Berlsuconit.
“Ky është një shtet kriminal, deklaron për mediat italiane avokati Taormina.
“Dorëzova në Prokurorinë e Romës, denoncimin kundër qeverisë e komitetit të teknikëve, për epidemi të qëllimshme me pasojë vdekjen e 10 mijë personave, thotë ai, e provokuar nga lejimi i qarkullimit të virusit për të paktën 40 ditë nga data 31 janar e deri në fillim të muajit mars kur qeveria mori masat e para.”
Për avokatin italian “qeveria e kryeministri Conte bëri gabime të vlerësimit të situatës me një vonesë kohe prej 40 ditësh që solli mungesën e furnizimit me maska, ventilatorë, aparate frymëmarrje, shtretër të terapisë intesive, eksod të njerëzve nga veriu në jug, mungesë tamponesh, me pasojë mijëra vdekje.”
“Të gjitha vdekjet nuk duhet të kishin ndodhur nëse shteti do kishte marrë masat që më datë 31 janar e lejoi që virusi të qarkullonte. Janë vdekje në terapi intesive ku mjekëve u është dashur të zgjedhin kë duhet të shpëtojnë”, thotë ai.
Avokati italian shkon dhe më tej në denoncimin e tij duke informuar se “në parlamentin italian po përgatitet hartimi i një ligji që eleminon përgjegjësitë për krimin e epidemisë së qëllimshme për të shpëtuar nga burgu politikanë e administratorë përgjegjës”.
Ai hedh gjithashtu dyshime mbi numrin e vërtetë të viktimave duke hedhur dyshimin se numri zyrtar i tyre është një gënjeshtër.
“Kërkoj, thotë ai, të di se sa është numri i vdekjeve në shtëpi me koronavirus apo jashtë spitaleve pasi nuk u morën në përgjegjësi nga shërbimi i Urgjencës apo nuk u shtruan në repartet e terapisë intesive apo nuk u vonua kurimi i tyre.”
Apelit të avokatit Taormina për të mbledhur dëshmi e fakte në favor të denoncimit të tij, brenda një ditë i janë përgjigjur rreth 700 mijë italianë.
“Ky shtet, këta qeveritarë kanë në koshiencë vdekjen e 10 mijë personave e nuk mjafton vetëm përgjegjësia e tyre politike duke dhënë dorëheqjen , por dua t’i shoh në burg” thotë avokati italian.