Kryeministri grek Cipras, përshëndet votimin nga parlamenti gjerman
Miratimin nga ana e parlamentit gjerman të shtyrjes katërmujore të marrëveshjes për Greqinë, ka përshëndetur kryeministri grek Aleksis Cipras, me një deklaratë ekskluzive për rrjetin televiziv Euronews, duke parashtruar njëkohësisht edhe objektivat e qeverisë greke për muajt e ardhshëm.
Deklarata e kryeministrit ka si më poshtë:
“Greqia kaloi një pengesë të vështirë.
Erdhi koha për reformat që ka nevojë vendi dhe asnjë qeveri nuk i synoi, sepse ishin të kapura nga interesa të fuqishme.
U dëshmua se Europa mund të avancojë, kur ekziston vullneti politik. Të kapërcejë impasse, të kërkojë rrugë të tjera për zhvillimin. T’i japë prioritet të ardhmes së përbashkët të popujve europianë.
Parlamenti gjerman dha sot votëbesim për Europën.
Përshëndesim votën e kolegëve tanë gjermanë, si një akt politik arsyeje dhe demokracie. Si akt të ratifikimit të respektit të dyfishtë që na karakterizon. Nga njera anë ndaj rregullave të Bashkimit Europian dhe të Eurozonës ashtu siç përcaktohen në Konventat dhe nga ana tjetër, në parimin e sovranitetit popullor, ashtu siç shprehet me votën e popujve në vendet anëtare të Eurozonës.
Europa tashmë e ka pranuar se Greqia ndryshoi faqe.
Qeveria e re e shpëtimit social, me mbështetjen e vazhdueshme dhe të pacënuar të shumicës së shoqërisë, po fillon përpjekjen reformuese për të ndryshuar Greqinë, siç ishim angazhuar para zgjedhjeve.
Po fillojmë luftën pa kompromis për rehabilitimin e drejtësisë tatimore dhe sociale dhe rritjen paralelisht të të ardhurave publike. Vullneti ynë politik që të paguajnë pjesën e tyre ata që nuk paguanin deri më tani po bëhet vepër, duke kontribuar në krijimin e një ndërgjegjjeje të re tatimore te qytetarët.
Po ndërtojmë një administratë publike eficente, me respekt ndaj qytetarit dhe taksave që paguan ky i fundit.
Kartelet e shumta, të vogla e të mëdha të interesave që tentojnë madje edhe sot të kontrollojnë administratën publike dhe ekonominë, do të thyhen. Meritokracia, transparenca, shanset e barabarta kudo si dhe shteti i të drejtës, do të jenë shenja dalluese e Greqisë së nesërme.
Po fillojmë një punë të madhe për të ndryshuar Greqinë në një Europë që po ndryshon kurs”.
Ndërkohë Demokracia e Re e Samaras shprehet se marrëveshja duhet ratifikuar nga Parlamenti dhe se ne do ta votojmë.
Zgjatja për katër muaj e programit të asistencës ndaj Greqisë, duhet të kalojë nga Parlamenti grek, thekson Demokracia e re (ND) me anë të një deklarate të zëdhënësit të vet. “Është një vendim që përfshin marrëveshjen për kredinë dhe memorandumin”, vë në dukje zëdhënësi i ND, Kostas Karagunis. Sipas tij, duhet të votohet nga parlamenti, sepse çdo ndryshim që ishte bërë më parë, po ashtu ishte votuar nga parlamenti dhe po s’u bë e njëjta gjë edhe kësaj here, mund të krijojë pikëpyetje dhe komplikime jashtë shtetit. Paralelisht, Karagunis kujton se në të kaluarën, SYRIZA e akuzonte qeverinë e mëparshme, ku kalonte vendime emergjente si akte normative, pavarësisht faktit se ato akte kalonin për ratifikim nga parlamenti brenda 40 ditëve. “Tani, në vendimin e parë kritik si qeveri, SYRIZA nuk mund të pretendojë se nuk do ta kalojë aspak nga parlamenti. Kjo e tejkalon hipokrizinë politike dhe shndrrohet në tallje të hapur”, theksoi Karagunis. Ai shton se SYRIZA “mund të ketë frikë se shumë deputetë të tij nuk do ta votojnë marrëveshjen” dhe thekson: “Le mos të shqetësohet. Ne do ta votojmë. Është e qartë tashmë se marrëveshja është më e keqe nga e jona, përderisa ne përgatitnim daljen përfundimtare nga memorandumi. Mirpo, këtu ku erdhën gjërat, nuk do ta lemë vendin të përpçlaset tek shkëmbinjtë”, nënvizon zëdhënësi i ND.
Kujtim Vani
KOHA JONË SONDAZH

