Kryeministri i Malit të Zi: Duhet të jemi fqinj të mirë për të na pranuar në BE

Duhet të jemi fqinjë të mirë të pranohemi në BE. Ky është mesazhi që dha  kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq në një bisedë për DW.

“Unë mendoj se procesi i anëtarësimit varet ekskluzivisht nga ata që dëshirojnë të shkojnë në rrugën e integrimit evropian. Kjo është e qartë për të gjithë. Janë vendosur kritere të qarta dhe qëllimi ynë nuk është të jemi të privilegjuar, por të përmbushim të gjitha kriteret e mundshme sa më shpejt të jetë e mundur dhe kështu të tregojmë gatishmëri që të jemi pjesë – pasi gjeografikisht i përkasim hapësirës evropiane – e hapësirës së Bashkimit Evropian.

Nëse mund të kemi një mesazh të mirë, duhet të jetë i njëjtë për të gjithë rajonin tonë – e ky është që ne këtu jemi kryesisht si fqinjë të mirë. Nëse nuk mund të jemi fqinjë të mirë me njëri-tjetrin, si mund të jemi të pranueshëm edhe për BE? Kjo është logjika që të gjithë duhet t’i përmbahemi dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin për t’u bërë anëtarë të BE në Ballkanin Perëndimor sa më shpejt të jetë e mundur” u shpreh Krivokapiq

DW: Ju thatë që prisni që Mali i Zi të jetë anëtari i 28-të i BE-së. A keni ndonjë perspektivë kohore kur mund të realizohet ky synim?

Unë nuk dua të mendoj, por nëse arrijmë rezultatet që kemi parashikuar, shpresoj se do të kemi progres të dukshëm dhe në 2023 do të krijojmë parakushtet për të kaluar në aktin më të rëndësishëm, e ky është procesi i verifikimit nga anëtarët e tjerë të BE-së. Kështu, mbase, në vitin 2025, nëse të gjitha gjërat zhvillohen në mënyrë optimale, do të bëheshim anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian.

DW: A do të thotë kjo se, kur Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelji, thotë se ai pret që “një vend nga Ballkani Perëndimor të jetë  i gatshëm të bashkohet me BE” deri në 2024, ai mendon për Malin e Zi?

Nuk do të doja të dekurajoja askënd, por pozicioni ynë fillestar është pak më ndryshe nga të tjerët, e nëse punojmë mjaft mirë, nuk ka asnjë arsye që të mos jemi anëtari i 28-të i BE-së.

SHKARKO APP