Kryeministri i ri serb flet për Kosovën: Paqja, e pamundur

I zhytur në letër, lexoi programin e tij qeverisës në Parlament. Kryeministri i ri i Serbisë, Gjuro Matsut pretendoi se një nga sfidat më të mëdha të qeverisë së re do të jetë e ashtëquajtura mbrojtje e sovranitetit dhe integritetit territorial në Kosovë, duke vazhduar kështu linjën e gjatë të kryeministrave serbë që e kanë humbur lidhjen me realitetin.
Matsut paralajmëroi vazhdimin e blerjes së ndikimit të Beogradit tek serbët e Kosovës përmes pagave dhe pensioneve. Ai lëshoi dhe akuza në drejtim të Perëndimit duke pretenduar se po shfrytëzojnë problemet e brendshme të Serbisë, siç tha në Parlamentin e Beogradit, për t’i dhënë “një vrull të ri promovimit të agjendave të njëanshme të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes së Prishtinës”.
”Ky sukses tregon gatishmërinë e serbëve për një luftë të palëkundur politike dhe qeveria do t’i ndihmojë ata në këtë luftë për të arritur gjithçka që u garanton e drejta ndërkombëtare, veçanërisht Marrëveshja e Brukselit, zbatimin e plotë të së cilës ne do ta mbrojmë vazhdimisht kudo, duke luftuar për mbijetesën dhe të drejtat e popullit tonë në province, ku ekziston një kërcënim i vazhdueshëm se Prishtina do të kryejë në mënyrë të njëanshme dhunë dhe me sponsorizimin e forcës do të përpiqet të arrijë qëllimet e saj”.