Kryeministrja italiane Meloni shpall kandidaturën për zgjedhjet e BE-së
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni njoftoi të dielën se do të kandidojë në zgjedhjet evropiane që mbahen në muajin qershor në një përpjekje për të rritur mbështetjen për partinë e saj ‘Vëllezërit e Italisë’, po ajo shtoi se nëse zgjidhet nuk do të marrë detyrën e ligjvënëses evropiane.
Zgjedhjet që mbahen prej 6 deri më 9 qershor për Parlamentin Evropian shihen si një provë kyçe për forcës që gëzon në elektorat koalicioni i saj i djathtë 18 mujor.
“Ne duam të bëjmë në Evropë atë që bëmë në Itali, të krijojmë një shumicë që bashkon forcat e qendrës së djathtë e që do ta çojë të majtën në opozitë“, u tha zonja Meloni mbështetësve në një konferencë partie në qytetin bregdetar të Peskarës, nga ku dhe nisi fushatën.
Meloni, partia e së cilës i ka rrënjët tek grupi fashist i Benito Musolinit, bëri thirrje për daljen e Italisë nga euro-zona kur ishte opozitë dhe fitorja e saj në zgjedhjet e vitit 2022, ngriti shqetësime në disa kryeqytete evropiane. Megjithatë, ajo ka ndjekur një linjë gjerësisht pro-evropiane gjatë qëndrimit në detyrë, veçanërisht mbi çështjet e politikës së jashtme, si Ukraina dhe Lindja e Mesme.
Partia e saj gëzon mbështejen më të madhe popullore në Itali me 27%, sipas sondazheve të fundit, duke kaluar Partinë Demokratike të opozitës me rreth 20% dhe “Lëvizjes me Pesë Yje”, një formacion i majtë qëe gëzon 16% mbështetje.
Emri i Melonit do të jetë i parë në fletën e votimit për partinë ‘Vëllezërit e Italisë’, në të pesë zonat zgjedhore të Italisë, por ajo u zotua se nuk do të përdorë “asnjë minutë” nga koha e saj si kryeministre, për të bërë fushatë për zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Kryetarja e Partisë Demokratike Elly Schlein, njoftoi javën e kaluar se edhe ajo do të kandidojë gjithashtu, sikurse Antonio Tajani, kreu i partisë së qendrës “Forza Italia”, një parti pjesë e koalicionit qeverisës. Të tre udhëheqësit shpresojnë të fitojnë votat e atyre që kanë pak interes për politikën, por që tërhiqen nga emrat e shefave të partive në fletëvotim.
Duke supozuar se do të zgjidhen, si Meloni ashtu edhe Schlein e Tajani, pritet të heqin dorë nga vendet e tyre, duke u hapur rrugën kandidatëve të dytë, në listën e partive të tyre./VOA