Kumanovë, edhe PDSH e Menduh Thaçit apelon për gjakftohtësi
Me apel për ruajtje të gjakftohtësisë dhe mosrënie pre e provokimeve, pas situatës në Kumanovë, ka dalë edhe partia e Menduh Thaçit, e cila përmes një komunikate, kërkon nga MPB që të mos cenojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.
“Partia Demokratike Shqiptare me vëmendje ndjek zhvillimet e reja të situatës në Kumanovë dhe apelon deri tek qytetarët që ta ruajnë qetësinë dhe në asnjë mënyrë të mos bien pre e provokimeve. Partia Demokratike Shqiptare, konform pozicionit momental politik që ka si opozitë, kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme si dhe institucionet e tjera qeveritare të involvuara në këtë situatë, që me veprimet e tyre në asnjë mënyrë të mos cenojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.
Partia Demokratike Shqiptare ka potencialin dhe aftësinë politike që pakënaqësitë e akumuluara t’i artikulojë me metoda politike dhe ti mbrojë interesat e shqiptarëve të Maqedonisë si dhe apelon që shqiptarët të mos bëhen pjesë e skenarëve të individëve dhe grupeve të ndryshme me agjendë dhe qëllime të cilat nuk përkojnë me metodat me të cilat shqiptarët do të donin të zgjidheshin problemet e tyre. Apelojmë tek faktori ndërkombëtarë që urgjentisht të ndërhyje në këtë situatë me qëllim të parandalimit të përshkallëzimit të mëtutjeshëm të situatës, shkruan në komunikatën e lëshuar nga Partia Demokratike Shqiptare”, thuhet në kumtesën e PDSH-së.