Kurban Bajrami në pandemi: Në Kosovë xhamitë bosh, në Turqi falje në xhaminë e Shen Sofisë
Myslimanët anembanë botës kremtojnë sot Kurban Bajramin, njërën nga festat kryesore të islamit.
Për shkak të pandemisë së Covid-19 dhe rrezikut të përhapjes së virusit, falja e namazit, dhe besimtarët myslimanë nuk u lejuan të organizohen nëpër xhamitë e Kosovës.
E premtja e gjeti edhe të moshuarin Riza Syla para dyerve të mbyllura të xhamisë “Sulltan Mehmeti” në Prishtinë, por ndryshe nga 50 vitet e fundit, atij iu refuzuan ritualet brenda godinës.
Interesimi nuk mungoi as në xhamitë e tjera të kryeqytetit, që e mirëpritën vendimin e myftiut të Kosovës për pezullimin e faljeve masive dhe të gjitha ritualeve fetare për 10 ditët e ardhshme.
Syla: Kam ardhur, por nuk qenka askush. Këtë vendim nuk po e shoh të mirë shkurt edhe shqip ku e gjetën ditën e Bajramit me i vendos këto masa me i mbyll xhamitë, nga erdhi kjo…me çka po e shërojnë këtë virus? Me paracetamolë. Çfarë virusi është ky? Virus dhe grip i përgjithshëm… Në këtë xhami qe 50 vite falna”
Edhe në Maqedoninë e Veriut, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame nuk iu bashkëngjit besimtarëve në faljen e namazit të Kurban Bajramit, për shkak se rezultoi pozitiv në testin për koronavirus.
Një numër i vogël myslimanësh u lejuan të hyjnë brenda në xhamitë e dezinfektuara paraprakisht, ndërsa të tjerët shfrytëzuan ambientet e hapura dhe oborret, duke e shkurtuar edhe kohën e faljes në 10 minuta.
Pas konvertimit së fundmi në xhami, edhe myslimanët e Stambollit iu drejtuan të premten për lutje monumentit të Shën-Sofisë në Turqi.
Ndërkohë në qytetin e Mekës, Festa e Sakrificës shënoi edhe fundin e pelegrinazhit pesëditor të Haxhit në Arabinë Saudite.
Numri i pelegrinëve sivjet ishte dukshëm i limituar si pasojë e frikës prej koronavirusit, me vetëm rreth 10 mijë persona të pranishëm gjatë javës nga 2 milionë e gjysmë në vitet e mëparshme.
Tags