​Kurti në konferencën ballkanike: Kosova s’mund të jetë imune ndaj krizës mjedisore

Kryeministri Albin Kurti, në konferencën dhe ekspozitën e nëntë të përbashkët ballkanike për vlerën e ujit, ka deklaruar se Kosova nuk mund të jetë imune ndaj krizës mjedisore, prandaj është e domosdoshme mbrojtja e burimeve ujore për zhvillim ekonomik për brezat e ardhshëm.

“Nevojitet një rishikim i thellë i qasjes sonë ndaj shfrytëzimit të ujit, ajrit, pyjeve, mjedisit e burimeve tona, me një rimendim të hapësirës publike duke u bazuar në parim të drejtësisë sociale dhe jetës së dinjitetshme”, tha Kurti, duke paralajmëruar se nuk do të ketë kompromis ndaj keqpërdoruesve të resurseve ujore dhe zaptuesve të burimeve ujore.

Kosova është vendi më i varfër në rajon sa i përket disponueshmërisë së ujërave, më saktësisht 20% të mesatares së rajonit, vetëm 20 për qind të mesatares së rajonit. Kosova ka më së paku të reshura vjetore, që për kokë banori janë 40% të mesatares së rajonit.

Rreth 5% të vendbanimeve mbetën pa ujësjellës, kryesisht fshatrat në zonat malore apo kufitare. Për t’i avancuar këto synime, për të reformuar sektorin e ujërave, qeveria e Kosovës ka themeluar edhe përbërjen e re të Këshillit Ndërministror për Ujërat nën kryesimin e kryeministrit Kurti dhe në përbërje të ministrave përgjegjës për resurse ujore, shërbime ujore, ujitje dhe financa. /KosovaPress/

SHKARKO APP