Kush e vrau presidentin? Misteri pse nuk arritën ta mbrojnë pjesëtarët e sigurisë në shtëpinë e tij. Ja çfarë thotë policia haitiane
Një grup i përbërë nga 26 kolumbianë dhe dy amerikanë të Haitit qëndrojnë pas vrasjes së presidentit të Haitit, Jovenel Moise, tha policia më 7 korrik.
Presidenti Moise, 53 vjeç, u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij në Port-au-Prince ndërsa gruaja e tij u plagos, nga një grup, për të cilin zyrtarët thanë se e përbënin mercenarët.
“Në vendin tonë erdhën të huajt dhe e vranë presidentin”, tha shefi i policisë, Leon Charles, në një konferencë për media.
Ai konfirmoi se nga ai grup, 15 kolumbianë dhe amerikanët haitianë janë arrestuar ndërsa tre nga sulmuesit janë vrarë. Tetë të tjerë janë ende në arrati.
Sipas një hetimi fillestar disa nga vrasësit ishin ish-anëtarë të ushtrisë kolumbiane tha ministri kolumbian i Mbrojtjes, Diego Molano.
Zyrtarët ende nuk kanë dhënë ndonjë motiv për vrasjen apo se kush e urdhëroi atë.
Ekzistojnë edhe dilema për faktin se pse nuk arritën ta mbrojnë presidentin pjesëtarët e sigurisë.
Vdekja e Moise ka zhytur kombin e varfër në trazira.
Haiti veçse ishte në krizë politike, madje edhe para se Moise të merrte detyrën më 2017. Që nga zgjedhja e tij vendi është përballur me protesta të vazhdueshme.
Ai kishte qeverisur vendin përmes një dekreti pasi administrata e tij dështoi të mbajë zgjedhjet e përgjithshme në tetor të 2019. Vendi nuk ka një parlament të zgjedhur.
Kryeministri i Përkohshëm Claude Joseph ka shpallur gjendje të emergjencës duke bërë të ditur se ai tash është në udhëheqje të vendit.
Zgjedhjet e reja presidenciale dhe parlamentare janë planifikuar për 26 shtator./REL