Kush është ISIS-K që v*au mbi 130 njerëz në Moskë, cilat janë motivet e tyre për të sulmuar Rusinë?

Shtetet e Bashkuara kanë informacione që konfirmon marrjen e përgjegjësisë nga Shteti Islamik për një sulm vdekjeprurës me armë zjarri në një koncert afër Moskës të premten, tha një zyrtar amerikan për Reuters.

Të premten në mbrëmje, persona të armatosur hapën zjarr mbi turmat në një sallë koncertesh në Krasnogorsk në rajonin e Moskës, duke vrarë të paktën 133 dhe duke plagosur më shumë se 100 të tjerë.

Shteti Islamik ka thënë se qëndron pas sulmit.

Por kush janë dega afgane e Shtetit Islamik e njohur si ISIS-K dhe cilat janë motivet e tyre për të sulmuar Rusinë?

Çfarë është ISIS-K?

Shteti Islamik Khorasan (ISIS-K), i quajtur sipas një termi të vjetër për rajonin që përfshinte pjesë të Iranit, Turkmenistanit dhe Afganistanit, u shfaq në Afganistanin lindor në fund të vitit 2014 dhe shpejt krijoi një reputacion për brutalitet ekstrem, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Një nga degët më aktive rajonale të grupit militant të Shtetit Islamik, ISIS-K ka parë rënie të anëtarësisë që nga kulmi rreth vitit 2018.

Sulmi në Moskë: A e injoroi Rusia paralajmërimin e SHBA-së?
Gjenerali Michael Kurilla, komandanti i Komandës Qendrore të SHBA, i tha Kongresit, marsin e kaluar, se ISIS-K po zhvillonte shpejt aftësinë për të kryer “operacione të jashtme” në Evropë dhe Azi.

Ai parashikoi se grupi do të ishte në gjendje të sulmonte interesat e Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit jashtë Afganistanit “në vetëm gjashtë muaj dhe me pak ose aspak paralajmërim”.

Sulmet brenda vetë SHBA-së ishin më pak të mundshme, theksoi ai.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se aftësia e saj për të pasur informata rreth grupeve ekstremiste në Afganistan si ISIS-K është zvogëluar që nga tërheqja e trupave amerikane nga vendi në vitin 2021.

Megjithatë, ushtria amerikane ka thënë se mund të shohë “konturet” e një sulmi i afërt, por nuk ka detaje specifike që kishte më parë.

Çfarë sulmesh ka kryer grupi?

ISIS-K ka një histori sulmesh, duke përfshirë kundër xhamive, brenda dhe jashtë Afganistanit.

Në fillim të këtij viti, SHBA-të përgjuan komunikimet që konfirmonin se grupi kreu dy sulme me bomba në Iran që vranë afro 100 njerëz, përcjell Telegrafi.

Në shtator 2022, militantët e ISIS-K morën përgjegjësinë për një sulm vetëvrasës vdekjeprurës me bombë në ambasadën ruse në Kabul.

Grupi ishte gjithashtu përgjegjës për një sulm në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit në vitin 2021 që vrau 13 trupa amerikane dhe shumë civilë gjatë evakuimit kaotik të SHBA-së nga vendi.

Sipas një raporti të janarit të OKB-së, përpjekjet e talebanëve për të mposhtur grupin kanë çuar në një rënie të numrit të sulmeve brenda Afganistanit.

Megjithatë, bombardimet nuk kanë të ndalur.

Të enjten, Shteti Islamik mori përgjegjësinë për një sulm vetëvrasës para një banke në qytetin Kandahar të Afganistanit, që vrau të paktën tre persona dhe plagosi 12 të tjerë, tha policia lokale.

Pse do ta sulmonin Rusinë?

Ndërsa sulmi i ISIS-K në Rusi të premten ishte një përshkallëzim dramatik, ekspertët thanë se grupi ka kundërshtuar presidentin rus Vladimir Putin vitet e fundit.

“ISIS-K ka qenë i fiksuar në Rusi për dy vitet e fundit, duke kritikuar shpesh Putinin për propagandën e tij”, tha Colin Clarke nga Soufan Center, një grup kërkimor me bazë në Nju Jork.

Ndërsa Michael Kugelman i Qendrës Wilson me bazë në Uashington tha se ISIS-K “e sheh Rusinë si bashkëpunëtore në aktivitete që rregullisht shtypin myslimanët”.

Ai shtoi se grupi gjithashtu numëron si anëtarë një numër militantësh të Azisë Qendrore që kanë “ankesat e tyre” kundër Moskës. /Telegrafi/

SHKARKO APP