Kush është rreziku më i madh për demokracinë amerikane

Nga Robert Reich, Eurasia Riview

Rreziku më i madh për demokracinë amerikane tanimë nuk vjen nga Rusia, Kina apo Koreja e Veriut, ai vjen nga Partia Republikane.Vetëm 25 për qind e votuesve vetë-identifikohen si Republikanë, rezultati më i keq i Great Old Party përkundrejt demokratëve që nga viti 2012, dhe shumë më poshtë krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale në nëntorin e vitit 2020.

Por ata që e mbështesin ende këtë parti janë shumë më të mllefosur, më ideologjikë, më shumë mohues të së vërtetës dhe më racistë sesa republikanët që u paraprinë atyre. Dhe të tillë janë edhe ligjvënësit që i përfaqësojnë ata në Kongres dhe Senat.

Partia e sotme Republikane, po përcaktohet gjithnjë e më shumë jo nga besimet e saj të përbashkëta, por nga iluzionet e saj të përbashkëta. Të premten e kaluar, 54 senatorë amerikanë votuan pro shqyrtimit të një projekt-ligj të miratuar më herët nga Kongresi për të krijuar një komision për të hetuar shkaqet dhe ngjarjet që ndodhën gjatë kryengritjes së 6 janarit 2021 në Capitol Hill.

Pra 6 vota më pak se sa numri i votave të nevojshme për bllokimin e debatit, gjë që do të thotë se çdo shqyrtim i mëtejshëm i projekt-ligjit do të bllokohej nga republikanët për një kohë të pacaktuar. Për pasojë nuk do të ketë asnjë hetim.

54 senatorë që votuan pro hetimit parlamentar të atyre ngjarjeve dramatike, përfaqësojnë 189 milionë amerikanë, ose 58 për qind të popullsisë amerikane. 35 senatorë që votuan kundër përfaqësojnë 104 milionë amerikanë, ose 32 për qind të popullsisë.

Pra 32 për qind e votuesve amerikanë vendosën që kombi të mos kuptojë deri në detaje atë që i ndodhi demokracisë amerikane më 6 janar të këtij viti. Për më tepër, 35 senatorët që votuan kundër ngritjes së komisionit ishin që të gjithë republikanë.

Ata nuk e dëshirojnë një hetim të tillë, për shkak se ai mund të rrezikojë jo pak shanset e tyre për të fituar shumicën në Kongres dhe Senat në zgjedhjet e mesit të mandatit në vjeshtën e vitit 2022.

Gjithashtu, ata do të donin të shiheshin me sy të mirë nga Donald Trump, pjesëmarrja e të cilit në atë kryengritje mund të ishte zbuluar akoma më qartë. Tetë nga këta republikanë votuan kundër certifikimit të Joe Biden si president më 6 janar.

Disa nga zgjedhësit e tyre ishin përgjegjës për kryengritjen e asaj dite. Ndërkohë, Partia Republikane po miraton ligje të reja në shumë shtete, duke ia bërë më të vështirë demokratëve që të votojnë apo të kundërshtojnë reformën zgjedhore në Kongres.

Ata po dëbojnë çdo republikan që ka guximin të kritikojë Donald Trump. Ata e kanë shkarkuar nga pozicioni i saj drejtues Liz Cheney, që i quajti përpjekjet e Trump për të përmbysur zgjedhjet presidenciale dhe rolin e tij në nxitjen e trazirave vdekjeprurëse të 6 janarit si “tradhtia më e madhe nga një president i Shteteve të Bashkuara të zyrës së tij, dhe betimit ndaj Kushtetutës”.

Krerët lokalë të republikanëve janë detyruar që të largohen nga pozicionet e tyre partiake për të mos mbështetur pretendimet e pabazuara të Trumpit për zgjedhjet, apo për shkak se kanë kritikuar rolin e ish-presidentit në nxitjen e trazirave vdekjeprurëse në Capitol Hill.

Demokracia amerikane ndodhet sot në një udhëkryq.

Demokratët në Senat duhet të heqin qafe çdo lloj pengese dhe të ecin përpara me reformat e mëdha:zgjerimin e së drejtës së votës, si dhe politikat që do t’i japin më shumë prosperitet më shumë amerikanëve që ndodhen në gjysmën e poshtme të pasurisë- shumica e tyre pa arsim të lartë, shumë prej të cilëve e mbështesin Partinë Republikane.

Në vitet 1930, Franklin D.Roosevelt vuri në dukje se mbijetesa e demokracisë amerikane varej nga miratimi i politikave që përfshinin New Deal (Marrëveshjen e Re).

Në atë dekadë të Depresionit të madh ekonomik, demokracia ishte nën rrethim në të gjithë botën, dhe diktatorët ishin kudo në rritje. Joe Biden e kupton shumë mirë se Amerika dhe bota përballen me një sfidë të ngjashme.

Po ashtu si Roosevelt, Biden po e shndërron në një kauzë të fortë miratimin e politikave të tij për forcimin e demokracisë dhe kundër forcave të tiranisë, jo vetëm si një shembull për pjesën tjetër të botës, por më së pari këtu në SHBA.

Shënim: Robert B.Reich, është profesor i politikave publike në Universitetin e Kalifornisë në SHBA, si dhe anëtar i Lartë në Bloom Center për Zhvillimin e Ekonomive.

Përktheu: Abcnews.al

SHKARKO APP