Lajm i mirë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Gjermania pro zgjerimit
Gjermania, lokomotiva e Europës i jep shpresë Shqipërisë, si një vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE. “Zgjerimi i Bashkimit Europian është edhe në interesin tonë.” Ky është pohimi që ka bërë në një intervistë për “Deutche Welle” ministri i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth. Pranimi i vendeve të Ballkanit perëndimor në radhët e bllokut do të sillte, sipas tij, avantazhe për të dyja palët. Brukseli e ka bërë të qartë se nuk do të ketë më asnjë pranim në 5 vitet e ardhshme, çka po ngjall frikën e një të ashtëquajture “kandidaturë të përhershme”. Megjithatë, Roth i inkurajon vendet aspirante të mos tërhiqen nga reformat.
“Nuk ka diskutim: rruga që kanë përpara tyre është pa dyshim e vështirë, por ia vlen. Ne nuk jemi vetëm një bashkësi ekonomike, por në radhë të parë një bashkësi vlerash. Duke pasur parasysh përvojat e vështira në bisedimet e pranimit në dekadat e mëparshme në proceset e afrimit me BE-në, ne fokusohemi fort në çështjet e shtetit ligjor, demokracisë, bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, në pavarësinë e mediave, por edhe në zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale. Kështu duhet bërë. Në fillim, duhen zgjidhur çështjet më të vështira. Rruga që në fillim pastrohet nga gurët e mëdhenj e të rëndë. Kështu ndodh edhe në këtë rast e atëherë ecja drejt BE-së dhe vetë anëtarësimi do të bëhet më i lehtë”, deklaroi Roth.
Ai thekson edhe rëndësinë kyçe, sipas tij, të rolit të shoqërisë civile. Nëse pranimi kuptohet vetëm si proces teknik, që ekspertët nga Brukseli takohen me ekspertët e kryeqytetit përkatës dhe negociojnë pas dyerve të mbyllura për detajet e pranimit, nuk ka si të jetë mirë. "Ne duhet të kemi kujdes që ta përfshijmë që në fillim shoqërinë civile; që gjatë procesit të pranimit na duhet përmirësimi i jetës ekonomike dhe sociale, sidomos i të rinjve", shprehet zyrtari gjerman.