Legjenda e njeriut 168-vjeçar, banorët tregojnë sekretin e jetëgjatësisë
Në botë ka disa vende të famshme për jetëgjatësinë e banorëve. Në Japoni, dhjetëra persona 100-vjeçarë kanë pagëzuar Okinavan si “toka e të pavdekshmëve”. Campodimele në Itali, quhet ndryshe edhe “fshati i përjetësisë”, një dëshmi e asaj që mund të bëjë dieta mesdhetare.
Por ka edhe një cep të fshehtë të botës, për të cilin nuk është folur edhe aq shumë, por që “mburret” se ka numrin më të madh të “shekullorëve” për frymë. Lerik në jug të Azerbajxhanit është një krahinë në Kaukaz. I vendosur mbi retë në malet Talysh, duket se atje njerëzit kanë zbuluar sekretin e një jete të gjatë dhe të shëndetshme.
Në Muzeun e jetëgjatësisë që është ndërtuar aty në vitin 1991 ka më shumë se 2000 relike dhe dokumente që tregojnë për jetën dhe kujtimet e banorëve më të vjetër të rajonit. Më tërheqës janë sigurisht portretet e njëqindvjeçarëve, që datojnë nga viti 1930.
Në vitin 1991, në Lerik ishin regjistruar mbi 200 persona më të vjetër se 100 vjeç, në një territor me 63 mijë banorë. Shifrat janë përkeqësuar që prej atëherë dhe sot, edhe pse numri i popullsisë është rritur në 83 800 banorë, ka vetëm 11 persona që janë më të mëdhenj se 100 vjeç.
Njeriu më i vjetër në Lerik është Raji Ibrahimova, 105 vjeç. Por ajo duket e re, krahasuar me moshën e pretenduar të një tjetër banori të zonës, Shirali Muslumov. Në fletët e pasaportës së tij shkruhet se ka lindur në vitin 1805, ndërsa në gurin e tij të varrit shkruhet se ka vdekur në vitin 1973. Nëse është e vërtetë, atëherë ai bëhet njeriu më jetëgjatë në historinë e njerëzit, plot 168 vjeç.
Fatkeqësisht, në fillim të shekullit XIX, rrallëherë regjistroheshin lindjet në këtë krahinë, kështu që duket pak e besueshme që të jetë e vërtetë. Megjithatë, të dhënat kanë një marzh gabimi 20-vjeçar, çka gjithsesi e bën Muslumovin goxha të vjetër. Dhe jetëgjatësia duket se është trashëguar të pasardhësit e tij. E bija, Halima Qambarova, është 95 vjeç. Në një intervistë për CNN Travel ajo pranoi se, pavarësisht se nuk do të mund të jetonte dot sa babai i saj, shpreson të kapë të paktën moshën e gjyshit, 150 vjeç, ose të hallës, 130.
Dita e saj nis që në agim. “Çohem sapo më hapen sytë”, thotë ajo. E ndërsa tregon pasaportën ku shkruhet se ka lindur në vitin 1924, thotë që është vetëm 15 vjeç. Ditën e kalon duke punuar kopshtin rreth shtëpisë, ndërsa gjumin e bën në tokë, me një tapet të hollë për dyshek. Në zonë, besojnë se kjo është mënyra më e mirë për të çlodhur kurrizin. Mishi është pjesë kryesore e dietës së tyre, por edhe më e preferuar është gjiza, dhe bulmetet e tjera, si gjalpi, qumështi dhe shumë dhallë.