Lëvizja e Trump që pritet të trazojë Lindjen
Presidenti amerikan Donald Trump do të njohë në mënyrë të njëanshme Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, citohen zyrtarët e lartë të administratës së SHBA-së nga mediat ndërkombëtare.
Por, zyrtarët thanë se Z. Trump nuk do të lëvizë menjëherë ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem, raporton BBC.
Lajmi vjen përpara një fjalimi të pritur nga Trump këtë të mërkurë.
Reagimet
Udhëheqësit arabë kanë paralajmëruar presidentin amerikan Donald Trump se lëvizja e ambasadës amerikane në Izrael, në Jeruzalem, mund të ketë pasoja të rrezikshme. Mbreti Salman i Arabisë Saudite i tha kreut amerikan se çdo masë e tillë do t’i provokonte myslimanët në mbarë botën.
Reagimi i ashpër erdhi pas lajmeve se Donald Trump ka ndërmend të njohë Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, çështje kjo nga më të ashprat mes izraelitëve dhe palestinezëve. Nëse Uashingtoni e njeh Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, do të ishte vendi i parë që ta bëjë këtë që nga themelimi i shtetit në vitin 1948. Zyrtarët e administratës Trump thanë se njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit u pa si “një njohje e realitetit” nga presidenti.
Pasojat
Udhëheqësit arabë dhe myslimanë, sikurse edhe ekspertë të tjerë të kësaj zone të nxehtë, kanë paralajmëruar se njohja e Jeruzalemit do të sillte dhunë në Lindjen e Mesme dhe do të vriste me shumë mundësi negociatat e paqes mes dy rivalëve. Javën e kaluar, postet diplomatike amerikane u vunë në alarm gatishmërie, kur mësuan se presidenti po konsideronte vendimmarrjen.
Për 70 vite, Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka selinë në Tel Aviv, së bashku me përfaqësitë diplomatike të thuajse gjithë shteteve të tjera që kanë marrëdhënie me Izraelin, kjo pasi SHBA kanë dashur që të ishin negociatat e paqes izraelito-palestineze që të përcaktonin statusin përfundimtar të Jeruzalemit.
Plani origjinal i ndarjes së Palestinës, i Kombeve të Bashkuara që prej vitit 1947, bën thirrje që Jeruzalemi të jetë një qytet ndërkombëtar. Për këtë arsye, qeveritë amerikane nuk e kanë njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
KOHA JONË SONDAZH

