Liban, protesta antiqeveritare, zjarrvënie dhe gaz lotsjellës, mbi 30 pjesëmarrës të plagosur
Revolta popullore në Liban është rindezur sërish për arsye të krizës ekonomike dhe financiare. Forcat e sigurisë dhe protestuesit antiqeveritarë u përplasën sërish për disa orë me njëri-tjetrin duke përfunduar edhe në përdorimin e gazit lotsjellës.
Libani është zgjuar për të dytën natë nën flakët dhe përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Vala e protestave antiqeveritare nisi të enjten në disa qytete për shkak të situatës ekonomike të rënduar nga tetori i kaluar edhe nga zhvlerësimi me gati 70 për qind i monedhës kombëtare.
Të premten mbrëma, demonstruesit lëshuan sërish zjarrfikëse dhe gurë drejt ushtrisë dhe policisë në Bejrut dhe në qytetin verior të Tripolit, ndërsa të tjerë u vinin zjarrin dyqaneve.
Rebelimi i tyre mori kundërpërgjigje me anë të gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës, por turma e protestuesve vetëm u shtua në orët e para të së shtunës.
Përplasjet u shkaktuan plagë të lehta mbi 30 pjesëmarrësve, mes tyre edhe ushtarë.
“Revolucion” dhe “ushtarët në front të politikës” ishin disa nga sloganet që bënin jehonë kundër elitës politike libaneze.
“Vij sot për herë të fundit në protestë, në përpjekjen finale për të rindërtuar vendin që prej nisjes së revoltës më 17 tetor. Ndjehem po njësoj si atëherë sepse të gjithë vazhdojmë të kemi të njëjtin hall.”
“Deri nuk nuk kisha shpresë në këtë vend, deri para dy orësh, deri kur njerëzit që mbështetin qeverinë dolën vetë në rrugë, atëherë e kuptova se jemi të bashkuar. Sot na ëshë kthyer shpresa.”
Kryeministri i Libanit të premten thirri një mbledhje urgjente të kabinetit pasi demonstruesit bllokuan rrugët duke djegur gomat.
Qeveria vijon bisedimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të reformuar sistemin ekonomik dhe për të siguruar miliarda dollarë financime, në kohën kur niveli i borxhit kombëtar është ndër më të lartët në botë, në 170 për qind.
Kriza në vend zgjat prej dekadash për arsye që variojnë nga korrupsioni dhe shpenzimet e gabuara, te rritja e çmimeve dhe e papunësisë e cila ka prekur tani nivelin 35 për qind.