Libra drejt dështimit – Pas Paypal e braktis edhe Visa e Mastercard

Libra, monedha virtuale e Facebook duket se është e destinuar që të dështojë, ende pa u krijuar. Pas Paypal një javë më parë, e më pas Ebay, Stripe, Mercado Pago, Tani edhe Visa e Mastercard kanë braktisur tërësisht projektin për të krijuar një monedhë digjitale globale. Eksodi i fundit e ka lënë Libra-n të vetme dhe pa asnjë partner ndër kompanitë e pagesave. Partnerët e vetëm të mbetur të kompanisë janë Lyft dhe Vodafone, por që nuk janë të specializuara në pagesa.

“Visa ka vendosur që mos të bashkohet Libra-s kësaj here”-thuhet në njoftimin e gjigantit të pagesave.  Kreu i projektit të Libra-s te Facebook, ish drejtor i Paypal, pranon se në terma afat-gjatë ky nuk është aspak një lajm i mirë. “Ne jemi të fokusuar të shkojmë përpara”-nënvizon ai. Facebook parashikon që të lëshojnë monedhën digjitale në Qershorin e vitit të ardhshëm në bashkëpunim edhe me partnerët e tjerë, të cilët për momentin duket se janë tkurrur ndjeshëm.

Gjatë muajit të kaluar, Franca dhe Gjermania kërkuan të ndalojnë Libra-n së operuari në Europë. Kreu i Rezervës Federale Jerome Powell ndërkohë, deklaroi se Libra nuk mund të jetë një realitet pa u adresuar çështjet serioze të sigurisë që lidhen me të. Vendimi i kompanive si Visa, Mastercard apo Stripe për t`u tërhequr nga projekti duket se lidhet me lobimin e fuqishëm të disa senatorëve amerikanë.

SHKARKO APP