Liderët e G7 premtojnë vaksina për vendet e varfëra

Pandemia e Covid-19 dhe rimëkëmbja ekonomike ishin në fokus të takimit të liderëve të G7-ës. Kryeministri britanik, Boris Johnson, premtoi dhurimin e tepricave të vaksinave anti-covid të vendit të tij për shtetet e varfëra të botës. Ai përshëndeti dy prurjet e reja, presidentin amerikan, Joe Biden dhe kryeministrin Italian, Mario Draghi, ndërsa kancelares gjermane, Angela Merkel, i kërkoi ta fikte mikrofonin e saj kur ai fliste.

Johnson u bëri thirrje liderëve të vendeve me ekonominë më të fuqishme të globit që të mbështesin planin e rimëkëmbjes pas shkatërrimit që solli pandemia, teksa e konsideroi 2021 si vit të kthesës. ”Duhet të sigurohemi që çdokush, përreth botës, të marrë vaksinën që u nevojitet në mënyrë që i gjithë planeti ta tejkalojë këtë pandemi, së bashku. E di që disa kolegë e kanë njoftuar atë ideal, të cilin Britania e mbështet fuqishëm”, u shpreh Johnson.

Në të njëjtën linjë ishte edhe kancelarja gjermane që mbështeti dhurimin e tepricave të vaksinave anti-covid të blera përmes programit të Bashkimit Europian. ”Pandemia nuk do të mposhtet derisa të gjithë njerëzit në botë të jenë vaksinuar”, u shpreh Merkel.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Japonia, Italia, Gjermania, Franca dhe Kanadaja, konfirmuan përkushtimin për të mbështetur Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe mekanizmin COVAX për blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave.

SHKARKO APP