Lideri i Iranit: Trump foli si budalla, mos t’i besojmë as Europës
Fjalimi i presidentit amerikan, Donald Trump, mbi traktatin bërthamor me Iranin ishte “me gjuhë prej budallai dhe tepër sipërfaqësor”. Për më tepër përbën “një kërcënim për popullin iranian dhe qeverinë e tij”.
Kështu e cilësoi udhëheqësi suprem iranian, Ali Khamenei fjalimin dhe gjuhën e përdorur nga Trump, duke theksuar se Presidenti i SHBA “tha të paktën 10 gënjeshtra”.
“Irani nuk do ta konsiderojë veten të detyruar t’i qëndrojë marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 pa garanci “të vërteta” nga evropianët”, theksoi Ali Khamenei, pas njoftimit për tërheqjen e SHBA-ve nga ujdia.
“Tani, thonë se duan për të vazhduar marrëveshjen bërthamore me tre vendet evropiane, por unë nuk kam asnjë besim në këto tre vende. Nëse duhet të përfundojmë një marrëveshje, atëherë duhet të marrim garanci konkrete, përndryshe nesër ata do të bëjnë të njëjtën gjë që bënë Shtetet e Bashkuara sot”, tha Khamenei, duke iu drejtuar presidentit Rohani.
Ndërkohë në të përditshmen iraniane ‘Kayhan’ thuhet se “Trump ka shkatërruar marrëveshjen bërthamore dhe kjo është koha për ta vendosur atë në pozitë të vështirë”.
Kayhan i bën jehonë kërcënimit të fundit të liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei. Por revista konservatore ‘Javan’ hapet me titullin: “Irani do të jetë i bashkuar dhe do të rezistojë”, ndërsa brenda editorialit theksohet se “Vdekje Amerikës” nuk është vetëm një slogan , pasi Shtetet e Bashkuara në të vërtetë janë të vdekur në sytë e iranianëve.
KOHA JONË SONDAZH

