Lirohet me kusht aktivisti rus Alexei Navalny

Një gjykatë ruse shpalli fajtor aktivistin politik Alexei Navalny për mashtrim në shumën 500 mijë dollarë të një kompanie franceze kozmetike.

Gjykata shpalli dënimin për 3 vjet e gjysmë burgim dhe e liroi me kusht avokatin 38-vjeçar, një dënim shumë më i ulët se ndëshkimi me 10 vjet burg që kishin kërkuar prokurorët. Edhe vëllai i zotit Navalny, Olegu mori të njëjtin dënim, por u dërgua në burg.

Gjykata pritej ta jepte dënimin më 15 janar, por e shpalli dënimin që sot pa dhënë shpjegim për ndryshimin e datës. Një faqe në Facebook, e krijuar me thirrjen për protesta në 15 janar, në datën e planifikuar fillimisht për shpalljen e dënimit, kishte tërhequr dhjetëra mijëra përkrahës.

Zoti Navalny doli nga gjykata pas shpalljes së vendimit dhe u bëri thirrje përkrahësve të vazhdojnë protestat.

Navalny ka qenë në arrest shtëpie që nga muaji shkurt për pjesëmarrje në një protestë pa leje. 

SHKARKO APP