Londër – Mbi 5 000 të vrarë nga grupet xhihadiste vetëm gjatë nëntorit

Grupet xhihadiste kanë vrarë 5 042 persona në muajin nëntor, një shifër që tregon se këto lëvizje janë më të forta se kurrë, sipas një studimi britanik të publikuar sot. Iraku mban rekordin e viktimave, ndjekur nga Nigeria, Afganistani dhe Siria, sipas këtij studimi të realizuar në bashkëpunim me BBC World Service dhe qendrën e kërkimit për radikalizimin (ICSR) të ”King’s College” në Londër. Rreth 664 sulme janë regjistruar në total. “Të paktën 16 grupe xhihadistësh kanë marrë përsipër këto sulme ku janë identifikuar si përgjegjës, 60 për qind e të cilëve nuk kanë lidhje me Al-Kaedën, armiku numër një para disa viteve”, nënvizoi studimi. Rreth gjysma e atentateve (44 për qind) janë kryer nga grupi i Shtetit Islamik, që operon kryesisht në Irak dhe në Siri. Ai është përgjegjës për 2 206 të vdekur gjatë 308 sulmeve. Grupi ”Boko Haram”, në Nigeri, është i dyti më i përgjakshëm me 801 të vrarë gjatë 30 incidenteve. “Të gjithë mendonin se Pranvera Arabe do të sillte liri dhe demokraci. Por ne kemi një lëvizje xhihadiste në disa pjesë të botës ku nuk do të kishim imagjinuar kurrë se do të shfaqej”, theksoi Peter Neumann, studiues në King’s College.

SHKARKO APP