Lufta në Jeruzalem, ja çfarë po ndodh atje
Qindra palestinezë dhe më shumë se 20 policë izraelitë janë lënduar gjatë përplasjeve në Jeruzalem. Të paktën 9 palestinezë janë varë dje nga sulmet ajrore izraelite në kundërpërgjigje të raketave të lëshuara më herët nga grupi militant palestinez Hamas drejt Jeruzalemit. Dhuna e ushtruar së fundmi vjen pas një muaji të mbushur me tension, ndonëse konflikti mes Izraelit dhe Palestinës daton prej dekadash.
Jeruzalemi ka qenë gjithnjë epiqendra e konfliktit të madh mes hebrenjve dhe arabëve prej më shumë se 100 vjetësh dhe mbetet një nga qytetet më të diskutuara në botë. Dhuna e ditëve të fundit filloi si pasojë e çfarë ndodhi gjatë muajit të shkuar. Izraelitët tentuan të bllokonin disa tubime të palestinezëve në fillim të muajit të shenjtë të Ramazanit, periudhë që rriti edhe më ndjeshmërinë për çështjet fetare.
Për pasojë, përleshje të përgjakshme kanë ndodhur në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit ku qindra palestinezë janë plagosur nga ndërhyrjet e policisë izraelite në xhaminë e shenjtë të Al-Aqsa dhe planet për dëbime të palestinezëve nga shtëpitë e tyre, në favor të kolonëve izraelitë.
Tensionet mbi një plan për të dëbuar me dhjetëra palestinezë nga një lagje e Jeruzalemit lindor, vazhdojnë të nxisin përplasje. Mjete shpërthyese që shkaktojnë humbje të përkohshme dëgjimi, shpërthyen në kompleksin e shenjtë. Me qindra palestinezë u lënduan në përleshjet mes protestuesve që hidhnin gurë dhe policisë që qëllonte me gaz lotësjellës e plumba gome.