Lufta tregtare, Kina ia kalon SH.B.A.-së si partneri më i madh tregtar i BE-së

Përgjatë 2020-ës, vit i ndikuar rëndë nga pandemia e koronavirusit, tregtia BE-Kinë u rrit, ndërsa importet dhe eksportet me Shtetet e Bashkuara ranë në mënyrë dramatike njoftojnë të dhënat nga zyra e statistikave të BE-së, Eurostat.

Kina kapërceu Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partneri më i madh tregtar i Bashkimit Evropian, gjatë 2020-ës, bëri me dije këtë të hënë agjencia e statistikave të BE-së.

Eurostati tha se vëllimi i tregtisë me Kinën arriti në 586 miliardë euro në vitin 2020, krahasuar me 555 miliardë euro me SH.B.A-të.

Agjencia evropiane e statistikave tha se eksportet e Bashkimit Evropian drejt vendit aziatik u rritën me 2.2 përqind, në 202.5 miliardë euro, ndërsa në të njëjtën kohë, importet nga Republika Popullore e Kinës u rritën me 5.6 përqind, në 383.5 miliardë €.

Në krahun tjetër, eksportet e vendeve të Bashkimit Evropian në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ranë me 13.2 përqind dhe importet me 8.2 përqind.

Përveç krizës së COVID-19-ës, tregtia transatlantike ka pasur probleme edhe nga një seri grindjesh për shkak të tarifave të vendosura nga amerikanët së pari, e më pas edhe nga evropianët.

Tarifa u vendosën për çelikun dhe produkte të tjera si shampanja franceze ose motorët Harley-Davidson.

Në këtë grindje euro-amerikane, ngjan se Kina arriti të përfitojë duke shkuar edhe drejt një marrëveshjeje.

Bashkimi Evropian dhe Kina po kërkojnë të ratifikojnë një marrëveshje investimi të negociuar gjatë, e cila do t’u jepte kompanive evropiane një qasje më të mirë në tregun kinez.

Një faktor tjetër që ka ndikuar në këtë bilanc pozitiv të Kinës me Bashkimin Evropian është se Kina u rikuperua shpejt nga pandemia e koronavirusit duke rikthyer sërish në funksion zinxhirët e prodhimit dhe të konsumit.

Sipas analistëve, kjo ndihmoi në nxitjen e shitjeve të produkteve evropiane, veçanërisht në sektorët e automobilave dhe mallrave luksoze, ndërsa eksportet e Kinës në Evropë kishin të bënin më shumë me kërkesën e madhe për pajisje mjekësore dhe elektronike.

Në vijim, Eurostati tregoi se tregtia me Mbretërinë e Bashkuar ra në vitin 2020, viti kur Britania u largua zyrtarisht nga blloku.

Eksportet u ulën me 13.2 përqind, ndërsa importet me 13.9 përqind.

Britania, e cila nuk është më pjesë e Bashkimit Evropian, ishte partneri i tretë më i madh tregtar për bllokun evropian, pas Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, për 2020-ën.

SHKARKO APP