Lukashenko kërkon mbështetje nga ”vëllai i madh” Putin

Aktivistët opozitarë në Bjellorusi po përballen më një presion të vazhdueshëm, ndërsa vendi shënon një muaj që prej fillimit të protestave masive kundër presidentit Alexandër Lukashenko. Përpjekjet për t’i ndaluar demonstratat nuk kanë dhënë asnjë rezultat dhe tani presidenti Lukashenko po kërkon ndihmën e Moskës. Ai pritet të udhëtojë në Rusi javën e ardhshme për të folur me presidentin rus Vladimir Putin.

Vizita me “vëllain e tij të madh”, ashtu siç Lukashenko i është drejtuar Putinit gjatë kohëve të fundit, do të jetë udhëtimi i parë jashtë vendit që prej zgjedhjeve. Putini ishte i pari që dha urimet për kryesimin e Lukashenkos në zgjedhje dhe është e qartë se Kremlini nuk do të flasë me opozitën bjelloruse.

Analistët thonë se në të vërtetë bisedimet në Moskë do të jenë shumë të vështira, sepse qëllimi kryesor është të diskutohet çmimi që Lukashenko do të paguajë për të marrë mbështetjen ruse, ndërsa pritet që presidenti rus të kërkojë shumë.

“Rusia po pret që Lukashenko t’i hapë krahët, të jetë më i bindur, në mënyrë që të shkruhet një udhërrëfyes për integrimin, marrjen e plotë të Bjellorusisë nga Rusia”, thotë Andre Kolesnikov.

SHKARKO APP