Lukashenko mobilizoi ushtrinë, qytetarët dalin sërish në protestë
Bjellorusia përgatitet sot për protesta të reja, në të cilat pritet të kundërshtohet vendimi i Presidentit Aleksandër Lukashenko, i cili urdhëroi një ditë më parë forcat e armatosura të qëndrojnë në gatishmëri, për të mbrojtur kufijtë perëndimor. Mijëra qytetarë kanë dalë nëpër rrugë që kur Lukashenko në pushtet që prej vitit 1994, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit. Mbi 7,000 protestues janë arrestuar dhe qindra të tjerë janë rrahur nga policia.
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar votimet dhe kanë dënuar brutalitetin e përdorur nga autoritetet ndaj protestuesve. Së fundi u raportua se trupi i një djali të ri, i cili u zhduk pas një proteste në 12 gusht, ishte në një pyll në afërsi të Minskut.
Svyatlana Tsikhanouskaya, kandidatja opozitare, që u largua në Lituani pas zgjedhjeve presidenciale, pretendon se ka fituar 60 deri në 70 përqind të votave. Një ditë më parë, ajo deklaroi se bjellorusët duhet të luftojnë për të drejtat e tyre dhe nuk duhet t’i besojnë Lukashenkos kur thotë se vendi është nën kërcënim ushtarak. Komentet e saj lidheshin me pretendimet e presidentit se trupat e NATO-s në Poloni dhe Lituani i janë afruar kufijve me Bjellorusinë. NATO i quajti deklarata të tilla “të pabaza”.