Macron: Bashkimi Evropian mund të vendosë masa ndaj Kinës për deficitin tregtar
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar mundësinë e kundërmasave ndaj Kinës nëse ajo nuk ndryshon qasjen në politikat tregtare. Deklaratat e tij erdhën gjatë një interviste për të përditshmen franceze Les Echos, pas një vizite treditore në Kinë.
Macron theksoi se suficiti tregtar i Kinës nuk është i qëndrueshëm dhe se vendi po dëmton konsumatorët e vet, duke mos importuar mjaftueshëm nga Evropa. Ai paralajmëroi se, nëse Kina nuk ndryshon sjelljen, Bashkimi Evropian mund të marrë masa të fuqishme, duke ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe duke vendosur tarifa mbi produktet kineze.
Kina mbetet partneri kryesor tregtar i Francës në Azi, por ekonomia evropiane përballet me një deficit të madh tregtar me Pekinin. Në vitin 2024, deficiti tregtar i Francës me Kinën arriti mbi 46 miliardë euro, ndërsa për BE-në në tërësi shkon mbi 300 miliardë euro. Macron kritikoi kërkesën e ulët kineze për importe nga Evropa, duke e konsideruar problematike për kompanitë gjermane, franceze dhe të vendeve të tjera të BE-së. Ai e quajti situatën një rrezik për industrinë evropiane, duke e vendosur Evropën “në mes” të përplasjes tregtare SHBA-Kinë.
Presidenti francez i bëri thirrje kompanive kineze të konsumojnë më shumë nga jashtë dhe të hapin tregun e brendshëm, duke përmendur investimet e EDF dhe Airbus në Kinë 25 vjet më parë si shembuj të ndërtimit të tregjeve të shitjes. Ai shtoi se investimet kineze në Evropë nuk duhet të jenë grabitqare dhe nuk duhet të krijojnë varësi për kontinentin.
Macron theksoi gjithashtu se Evropa duhet të rrisë konkurrueshmërinë, të investojë në inovacion dhe të thellojë tregun e përbashkët. Sipas Les Echos, presidenti francez i referohej veçanërisht sektorëve të baterive, makinave elektrike dhe procesimit të litiumit.
KOHA JONË SONDAZH

