Macron: Energjia atomike është “e ardhmja”

Franca është e vetmja fuqi bërthamore e Bashkimit Europian, dhe do vazhdojë të mbetet e tillë për dekadat që do të vijnë.

Presidenti francez, Emanuel Macron, deklaroi të martën se ai vazhdon ta mbështetë industrinë atomike edhe pse vendi po synon ta ulë influencën nga kjo energji.

Brenda vitit 2035, Franca pritet ta reduktojë nga 75 në 50 për qind sasinë e energjisë të prodhuar në reaktorë bërthamorë, ndërkohë që ka plane për ta zhvendosur atë në fushën ushtarake.

“Energjia atomike do të mbetet themeli i autonomisë tonë strategjike. Do të vërë në lëvizje nëndetëset tona, raketahedhëset, nëndetëset sulmuese, madje edhe anijembajtëset tona. ‘Sharl-Dë-Golit’ i mbaron funksioni në 2038-n dhe prandaj kam vendosur që anijembajtësja e radhës e vendit dhe e flotës tonë, do përdor energjinë bërthamore.”

Macron e sheh industrinë atomike edhe si një resurs ekonomik.

“E ardhmja jonë ekonomike dhe industriale varet nga energjia bërthamore. Kemi 3 mijë kompani, 220 mijë vende punë dhe 5 mijë rekrutime të planifikuara për 2021-n, pavarësisht vështirësive që i dinë të gjithë. Të rrallë janë sektorët që ofrojnë kaq perspektivë, sidomos për të rinjtë.”

Përveç Francës, Britania e Madhe është vendi tjetër i Europës jashtëkontinentale që disponon armatim bërthamor.

Ndërkohë organizatat ambientaliste e kanë kritikuar qasjen e Francës për sa i përket shfrytëzimit të lëndëve atomike për arsye energjetike, duke thënë se ajo nuk është zgjidhja reale për krizën klimatike që po kalon planeti, por janë burimet e rinovueshme.

SHKARKO APP