Madrid, Protesta Virtuale kundër Parlamentit
Një protestë virtuale për të kundërshtuar vendimin e shtetit për të kufizuar të drejtat e protestuesve.
Disa aktivistë të të drejtave të njeriut, kanë zgjedhur një mënyrë tepër origjinale për të thënë fjalën e tyre kundër deputetëve të parlamentit spanjoll, për një ligj të etiketuar si “një shkelm në fytyrë” ndaj protestuesve, pasi i kufizon tej mase të drejtat e tyre dhe sanksionon me gjoba të rënda protestuesit e pa autorizuar.
Përmes një projektori hologramesh, rreth 80 persona virtualë parakaluan dhe brohoritën kundër këtij ligji, që sipas aktivistëve shkel të drejtat e protestës, kufizon lirinë e shprehjes dhe i jep më shumë autoritet policisë.
Edhe zëdhënësi i organizatës “Nuk jemi ne krimi”, Karlos Eskanjo, tha përmes hologramit se ky ligj ishte një sulm ndaj parimeve bazë të demokracisë.
Edhe pse ligji është modifikuar disa herë që prej propozimit të tij vitin e kaluar, në dhjetor shumica absolute e partisë së kryeministrit Mariano Rahoj, e aprovoi atë në parlament.
Sipas tyre, ligji për “Sigurinë e Qytetarëve” garanton lirinë dhe do të ketë mbështetjen e shumicës së spanjollëve.
Por kundërshtarët thonë se është një hap mbrapa për një shtet që ka dalë nga diktatura e ekstremit të djathtë vetëm në vitet 1970.
Protestat në Spanjë janë shtuar së tepërmi kohët e fundit, sidomos pas ndërmarrjes së masave shtrënguese nga qeveria Rahoj, përfshi këtu edhe uljen e zërave në buxhet për shërbimin shëndetësor dhe arsimor.