Madridi rikthehet në izolim. Covid-19, kambanë alarmi në të gjithë Europën
Madridi do t’i nënshtrohet sërish kufizimeve, në shkallë qyteti, pas një rritjeje të rasteve të koronavirusit atje, në një lëvizje dramatike që ilustron intensitetin në rritje të betejës së Evropës kundër një rritjeje dramatike të infektimeve. Njerëzit nuk do të mund të dalin apo të hyjnë në zonë, përveçse për punë, mësim apo arsye shëndetësore.
Tubimet do të jenë të kufizuara në vetëm gjashtë persona dhe dyqanet, baret dhe restorantet duhet të reduktojnë kapacitetin me 50 për qind dhe të mbyllen në orën 10 të mbrëmjes.
Kufizime do të ketë edhe në komunitetet me më shumë se 500 raste për 100 mijë banorë në 14 ditët e shkuara. Madridi, konfirmoi 1586 raste të reja një ditë më parë, ose 40 për qind të rasteve në shkallë vendi. Autoritetet lokale ndërkohë kanë kundërshtuar masat duke argumentuar se shpërthimi është nën kontroll. Në Britani, të enjten u njoftua ndalimi i përzierjes së familjeve në ambjente të mbyllura në Liverpul dhe qytete të tjera të Anglisë veriore.
Masat e reja këshillojnë edhe evitimin e udhëtimeve jo të domosdoshme, ndjekjen e eventeve sportive amatore dhe vizitat në shtëpitë e kujdesit. Kryeministri Boris Johnson tha një ditë më parë se ky ishte një moment kritik, duke shtuar se nëse provat do ta kërkojnë, ai nuk do të hezitojë të marrë edhe masa më të rënda. Kishte 7108 raste të reja në Britani të mërkurën.
Edhe në Gjermani infektimet e reja po rriten dhe kancelarja gjermane i bëri apel qytetarëve t’i binden rregullave ndërkohë që dimri po afrohet. Jam e bindur se jeta, siç e njihnim ne atë, do të rikthehet, por për momentin, duhet të tregohemi të arsyeshëm. Infektimet po shtohen edhe në Holandë ku janë marrë masa të reja kufizuese ndërsa në Francë, të dhënat nga spitalet nuk duken aspak pozitive.