Maduro dhe Zonja e Parë përballë drejtësisë amerikane, detajet e seancës së parë
Presidenti venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, do të paraqiten këtë të hënë në Gjykatën Federale të Manhattanit.
Sipas informacioneve paraprake të konfirmuara nga një zëdhënës i gjykatës, seanca e parë dëgjimore është planifikuar të zhvillohet rreth orës 12:00 sipas kohës lokale.
“Ata do të dalin para gjykatës të hënën. Seanca dëgjimore është caktuar për në orën 12:00”, deklaroi zëdhënësi.
Maduro dhe Zonja e Parë, Cilia Flores, po mbahen aktualisht në një qendër paraburgimi në New York, pasi u arrestuan gjatë sulmeve ajrore amerikane ndaj Venezuelës të shtunën. Ata janë transferuar nga Karakasi drejt Qendrës së Paraburgimit Metropolitan në Brooklyn, ku do të përballen me akuza të lidhura me trafikimin e drogës.
Presidenti Maduro ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk është udhëheqës i asnjë karteli droge.
Ndërkohë, autoritetet në Karakas kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare dhe kanë denoncuar atë që e quajnë “agresion ushtarak” nga Shtetet e Bashkuara.
Nga ana e tij, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA-të do të “drejtojnë” Venezuelën “deri në momentin kur të mund të realizohet një tranzicion i sigurt, i duhur dhe i mençur”. Ai shtoi gjithashtu se kompani amerikane të naftës do të angazhohen për të riparuar infrastrukturën energjetike të dëmtuar të vendit.
KOHA JONË SONDAZH

