“Magyar Telecom” do të hetojë përgjimet në Maqedoni
"Magyar Telecom" që është pronare e Telekomit të Maqedonisë si pjesë e Deutsche Telecom do të hetojë dyshimet në Maqedoni lidhur me aferën e përgjimeve.
Elpida Trizi, zëdhënëse e Deutsche Telecom theksoi se do të zhvillohen hetime nga konsultant të jashtëm, pas dyshimeve për rolin e Telekomit të Maqedonisë në aferën e përgjimeve, e cila u hap nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili theksoi se ka pasur përgjime masive të mbi 20 mijë qytetarëve.
Zaev ka hedhur dyshimet se përgjimet masive nuk kanë mundur të realizohen pa lejen dhe dijen e operatorëve të telefonive celulare në Maqedoni.
Dy operatorët më të mëdhenj të telefonisë celulare T-Mobile dhe VIP janë në pronësi të kompanive “motra” të Deutsche Telecom dhe Telecom Austria.
Në Deutsche Telecom refuzojnë të komentojnë ngjarjen, por ata theksojnë se janë të njohur me këtë problematikë.
“Megjithatë duhet patur parasysh se Deutsche Telecom nuk është drejtpërdrejt i përfshirë në Maqedoni, por përmes filialit të saj Magyar Telecom, që janë aksionarë kryesor të Telekomit të Maqedonisë . Ne jemi në kontakt me këtë kompani filial dhe planifikojmë hetime përmes konsultantëve të jashtëm”, deklaroi zëdhënësja Trizi për Deutsche Welle.
Pronar dominant i Telekomit të Maqedonisë është kompania SHA “Ura e Gurit Komunikimet Skopje” – Stone Bridge Comunications Skopje” me 51 për qind të aksioneve dhe që pronari i saj është Magyar Telecom, ndërsa 34, 8 për qind të aksioneve i ka Qeveria e Maqedonisë. Ndërsa pronar dominant në Magyar Telecom është Deutsche Telecom.