Makron ofron “rilindjen europiane”
Presidenti francez me letër të hapur për qytetarët e Europës
“Brexit simbolizon krizën e Europës, nacionalizmi rrezik për kontinentin”
Projekti i Europës mund të jetësohet sërish nëse shtetet e Bashkimit Europian bashkohen rreth tre ambicieve kryesore, që janë liria e të shprehurit dhe zgjedhjeve demokratike, mbrojtja kombëtare dhe progresi. Këto ide, presidenti i Francës, Emanuel Makron, i ndau në një letër të publikuar në mediet botërore, në kohën kur BE përballet me sfida të ngutshme siç janë zgjedhjet në Parlamentin Europian apo edhe Brexit.
Presidenti francez, Emanuel Makron, u ka propozuar liderëve europianë një seri reformash dhe organizmash të rinj për të garantuar të ardhmen e kontinentit europian.Në një letër të hapur drejtuar qytetarëve të Europës, kreu i Elizesë kërkoi krijimin e një këshilli që do të trajtojë përfundimisht çështjen kyç të emigracionit, dhe dy agjenci të reja për të parandaluar manipulimin e fushatave zgjedhore dhe shpërndarjen e lajmeve të rreme nga fuqitë e huaja. Këto propozime i paraprijnë zgjedhjeve për Parlamentin Europian në muajin maj dhe daljes së planifikuar të Britanisë së Madhe nga BE-ja në më pak se tre javë. Duke u ndalur te kjo e fundit, Makron tha se projekti europian nuk ka qenë kurrë më i domosdoshëm sesa tani, për shkak të frymës nacionaliste që po rrezikon stabilitetin e disa shteteve anëtare.
Makron tha :“Brexit simbolizon krizën e Europës, pasi nuk arriti t’i mbrojë qytetarët e saj nga yshtësit nacionalistë që u ngritën një kurth popullit britanik duke u premtuar gjithçka, por pa sqaruar se çdo të ndodhë pas largimit nga BE. Një kurth tjetër mbetet ruajtja e statukuosë, prandaj edhe në këtë moment vendimtar, na duhet ta riformësojmë politikisht dhe kulturalisht qytetërimin tonë europian për t’i bërë ballë ndryshimeve të kohës. Është momenti për një rilindje europiane, për t’i rezistuar tundimit të izolimit dhe ndasive.”
Për Makron, rilindja e projektit europian mund të ndodhë nëse të gjitha shtetet anëtare mbështetin tre ambicie kryesore, që janë liria e qytetarëve, siguria e kontinentit dhe progresi. Kreu i Elizesë ofroi që këto dhe tema të tjera, si vendosja e një pagese minimale për të gjithë unionin apo krijimi i një banke europiane për financimin e projekteve klimatike, t’i diskutojnë dhe aprovojnë bashkërisht në një Konferencë për Europën e cila pritet të mbahet në fund të vitit.
KOHA JONË SONDAZH

