Maqedonia e Veriut, vaksinën ndaj Covid-19 do ta marrë falas nga Bullgaria
Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, Maqedonia e Veriut mësohet se do t’i marrë falas nga Bullgaria dozat e para të vaksinës kundër Covid-19, bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. ”Për dozat do të mësojmë në periudhën që vijon. Besoj se sasia e parë tek ne do të arrijë në janar, edhe pse se situata nuk është vetëm në dorën e tyre dhe absolutisht i kuptoj që presioni nga vendet e gjithë botës është i madh”, tha Filipçe pas kthimit nga vizita në Sofje.
Ai mori pjesë në mbledhjen e Qeverisë bullgare, e cila njoftoi se do t’i dhurojë Maqedonisë së Veriut një sasi të vaksinave nga furnizimet e saj. Sipas ministrit bullgar të Shëndetësisë, Kostadin Angelov, fillimisht do të arrijnë vaksinat Pfizer/BioNTech, pastaj ato Moderna dhe AstraZeneca.
“Ne do të kemi doza të mjaftueshme për të gjithë qytetarët bullgarë dhe, veç kësaj, do të kemi edhe doza shtesë për vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor. Pason nënshkrimi i marrëveshjeve konkrete për t’i hapur rrugë procesit për përcaktimin e sasive të nevojshme edhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, tha Angelov. Premtimi për vaksinat falas vjen në periudhën e tensioneve të larta mes dy vendeve, për shkak të vetos bullgare ndaj kornizës negociuese midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.