Maqedonia thotë se është gati të ndryshojë emrin e saj dhe të përfundojë konfliktin me Greqinë
Maqedonia është gati të ndryshojë emrin e saj dhe të përfundojë konfliktin me Greqinë që ka ngadalësuar perspektiven e saj për t’u futur në Bashkimin Evropian dhe NATO, tha të martën kryeministri Zoran Zaev.
Maqedonia u anëtarësua në Kombet e Bashkuara në vitin 1993 me emrin e përkohshëm “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”, sepse fqinji i saj Greqia kundërshtoi emrin Maqedoni duke pretenduar se një emër i tillë nënkuptonte një pretendim territorial për një krahinë greke me të njëjtin emër. “Do të doja që negociatat me Greqinë të kenë sukses, ne jemi gati për një ndryshim në emër,” u tha ai gazetarëve në Shkup të martën. Ai kishte premtuar një zgjidhje të shpejtë për mosmarrëveshjen muajin e kaluar gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
Shumica e vendeve i referohen vendit që shpalli pavarësinë në vitin 1991 nga ish-Jugosllavia si Maqedoni. Diplomatët thonë se Maqedonia Veriore, Maqedonia e Re apo Maqedonia e Sipërme mund të jenë tani të pranueshme për të dyja palët. Zaev tha gjithashtu se qeveria e tij ka riemërtuar aeroportin kryesor dhe një nga autostradat e saj kryesore, të dyja ishin të emëruara pas Aleksandrit të Madh. Emrat e mëparshëm krijuan pakënaqësi në Greqi pasi Maqedonia ishte gjithashtu emri i një mbretërie të lashtë greke të sunduar nga Aleksandri. Zaev tha se aeroporti do të quhet “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit” dhe autostrada do të quhet Miqësia.
“Me vendimin e sotëm ne po konfirmojmë hapin tonë drejt ndërtimit të miqësisë dhe besimit me Greqinë,” u tha ai gazetarëve në kryeqytetin e Shkupit. Të dielën, qindra mijëra njerëz demonstruan në Greqinë veriore kundër çdo zgjidhjeje që do të përfshinte termin “Maqedoni”.