Marrëveshja bërthamore me Iranin, Rouhani: Hiqni sanksionet, ulemi menjëherë në bisedime
Irani po merr me të mira amerikanët për të mundur që të rikthehet në tavolinë edhe një herë marrëvshja bërthamore e vitit 2015. Pasi Trumpi e tërhoqi Amerikën në mënyrë të njëanshme nga kjo marrëveshje, presidenti i ri Biden ka dhënë shenja se mund të ketë një rigjallërim.
Teherani zyrtar ka përsëritur këtë të dielë se do të ulet menjëhrë në tavolinën e bisedimeve për marrëveshjen bërthamore, sapo amerikanët të heqin sanksionet.
“Irani është i gatshëm të marrë menjëherë masat për të përmbushur angazhimet e marrëveshjes bërthamore të 2015-ës, sapo Shtetet e Bashkuara të Amerikës të heqin sanksionet e paligjshme dhe të braktisin politikën e kërcënimeve dhe presionit”, – tha presidenti iranian Hassan Rohani.
Këtë deklaratë Rohani e bëri ndërsa priti ministrin e Jashtëm irlandez Simon Coveney.
Irlanda nuk është palë në marrëveshjen e vitit 2015, por Dublini ka rolin e lehtësuesit në zbatimin e marrëveshjes bërthamore.
Udhëtimi i ministrit të Jashtëm irlandez vjen pak ditë pas vendimit të Irlandës për të rihapur ambasadën e saj në Teheran.
Në fokus të bisedimeve me presidentin Rouhani dhe homologun Zarif është marrëveshja bërthamore për shkak të pozicionit të ri të Irlandës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dhe diskutime më të gjera rreth Lindjes së Mesme.
Presidenti Rohani kishte kritika edhe për nënshkruesit europianë – Britaninë, Francën dhe Gjermaninë – ndërsa theksoi mosveprimin e tyre në angazhimet ndaj marrëveshjes.
Pas tërheqjes së administratës Trump nga marrëveshja me Iranin, presidenti i ri amerikan Joe Biden ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për ta ringjallur atë.